Çka duhet të bëjë Kosova që të ketë rrjet 5G?

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. E një ndër pikat e marrëveshjes të nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, dhe presidenti i Serbisë, ka të bëjë me pajtimin e palëve që ta ndalojnë përdorimin e pajisjeve të dyshimta për 5G që lidhet me kompani kineze. Por, ç’është 5G, dhe si mund të aplikohet në Kosovë?

Lajme

29/09/2020 17:55

5G është gjenerata e pestë e teknologjisë së rrjeteve celulare pa tela, dhe ky rrjet është i standardizuar nga grupi industrial ndërkombëtar i quajtur 3rd Generation Partnership Project (3GPP).

Që Kosova do të mund të përfitojë nga këto shërbime e ka konfirmuar edhe Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike. Ai para pak ditëve ka treguar se nga marrëveshja e financimit, Kosova do të përfitojë edhe në teknologjinë 5G, shkruan lajmi.net.

Por si dhe kur do të ketë në Kosovë sinjal 5G pa pjesëmarrje kineze, akoma nuk dihet. Marrë parasysh që në Kosovë nuk ka pasur asnjë lëvizje në këtë plan, funksionimi i 5G nuk do të ndodhë edhe disa vite.

Eksperti i telekomunikimeve, prof. dr. Blerim Rexha i cili është shef i departamentit të Kompjuterikes në Universitetin “Hasan Prishtina” ka treguar se çka saktësisht është rrjeti 5G dhe se çka duhet të investohet që Kosova të mund mbulohet më ketë teknologji e cila edhe në SHBA e Evropë është në fazën fillestare.

“5G është rrjeti i ardhshëm i telekomunikimeve, i cili mundëson një shpejtësi jashtëzakonisht më të madhe. Mundëson që të lidhën pajisje më të shumta për dallim prej rrjeteve tjera ka një dendësi shumë më të madhe të funksioneve bazë dhe supozohet që në të ardhmen të gjitha pajisjet të lidhën nëpërmjet rrjetit 5G. Pra, është një varg frekuencash të reja, duke mundësuar numër më të madh lidhjesh dhe qarkullim më të madh të të dhënave pa shkaktuar tendosje të rrjetit’, tha Rexha për lajmi.net.

Ai tha se në rajon nuk ka diçka të tillë, ndërkohë, thotë se kjo mund të aplikohet në të ardhmen edhe në Kosovë, po që ka kosto të lartë.

“Në Kosovë nuk ka asnjë lidhje funksionuese të 5G. Pasi që ndryshon frekuenca, ajo duhet të blihet, po ashtu ndryshon pra edhe rrejti e tipologjia e stacioneve bazë e antenave e që i kanë  IPKO dhe Vala, ato duhet të jenë shumë më të shpeshta, dhe është një investim që ishte dashur të bëhet nga kompanitë telekomunikuese. Për blerjen e frekuencës, pastaj, natyrisht që është përgjegjës Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare  (ARKEP), dhe pastaj ata janë përgjegjës edhe për shitjen e saj, ashtu siç ia kanë shitur frekuencën Valës dhe Ipkos, po ashtu kjo duhet të bëhet nëpërmjet ankandit, sikur e bëjnë edhe vendet tjera”, shtoi tutje profesor Rexha.

Ndonëse shpeshherë me sinjal të dobët, në Kosovë që rreth pesë vite është i pranishëm 4G të cilën e pati lansuar operatori IPKO.

Industria e telekomunikacionit ka disa kohë që bën zhurmë për këtë gjeneratë të re të shërbimit me shpejtësi të lartë. Kompanitë nëpër botë kanë nisur testimet dhe kanë filluar të dalin pajisjet e para wireless që e suportojnë 5G-në. Por, kalimi në 5G nuk është kaq afër sa mendohet. Së pari operatorët do të duhet të ndryshojnë tërësisht infrastrukturën e tyre masive. Revolucioni 5G nuk përfshin thjesht internetin, por është krijuar për të lidhur pajisjet smart në shtëpi, dronët, makinat që ngiten vetë, e miliarda objektet e tjera të ndërlidhura.

Problemet bazë që diskutohen në lidhje me 5G prekin edhe Ballkanin. Në të gjitha vendet europianojuglindore, ambasada e SHBA kishte publikuar në faqen e saj të internetit, thirrje të hapura që kërkojnë përjashtimin e konkurrentëve kinezë. Madje në marrëveshjen e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë në SHBA decitivishtë thuhet “Të dy palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G të furnizuar nga shitës të pabesueshëm në rrjetet e tyre të komunikimit. Kur pajisjet e tilla janë të pranishme, të dy palët angazhohen për heqjen dhe përpjekjet e tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur”.

Sikurse në Kosovë, edhe në Shqipëri nuk ka as lidhje funksionuese 5G dhe as një datë për të filluar me të. Frekuencat e nevojshme për 5G janë të mbizëna. Qasje aty ka vetëm Telekom Albania dhe Vodafone Albania. Vodafone në nëntorin e kaluar bëri një demonstrim publik të 5G në Shqipëri. Vodafone Albania përdori për këtë komponentë kinezë për shkak të lidhjeve të ngushta të koncernit mëmë Vodafone me Huawein. Këtë e kritikoi Ambasada e SHBA-së e prej atëherë u ndërprenë të gjitha planet. Si dhe kur do të ketë në Shqipëri sinjal 5G pa pjesëmarrje kineze, akoma nuk dihet.

Në Malin e Zi ka pasur pak zhvillime në drejtim të sinjalit 5G. Rregullatorët shtetërorë atje do të publikojnë këtë vit strategjinë 5G dhe tenderin për frekuencat 5G në gjysmën e dytë të vitit 2021. Për shkak të bashkëpunimeve ekzistuese dhe mospërjashtimin e përgjithshëm të teknologjisë kineze ka gjasa të ketë përdorim të kësaj teknologjie. Plani është që sinjali 5G të shtrihet në vend në fund të vitit 2022.

As Maqedonia Veriore nuk ka sinjal 5G. Shkupi megjithatë pritet të ketë sinjal 5G në fund të vitit 2023. Këtë qeveria e vuri si kusht për pjesëmarrjen në tenderat që pritet të mbahen deri në fund të vitit 2020.

Në Serbi 5G ndodhet në fazën testuese. Koncerni norvegjez Telenor ngriti në qershor 2019 stacionin e parë 5G. Telenor ka hequr dorë nga komponentë të Huaweit, në vend të kësaj përdor komponentë të ofruesit suedez, Ericsson. Por ky qendrën e prodhimit e ka në Nanjing, në Kinë. Ende është e paqartë, kur dhe cilët ofrues të tjerë të 5G do të ketë në Serbi.

Zhvillimi i 5G në rajon nuk dallon nga ato që preokupojnë vendet e tjera europiane. Në vend të kësaj ato janë të lidhura ngushtë me vendimet në Gjermani apo Austri. Bashkëpunimi afatgjatë i Deutsche Telekom apo A1 në Austri me Huawein e bën gati të pamundur për shumë vende të Evropës Juglindore që të heqin dorë nga ofruesi kinez. Rajoni nuk mund t’i rezistojë dot  presionit të fuqive të mëdha botërore si Kina, Rusia apo SHBA. /Lajmi.net/