Çitaku: Rrugëtimi ynë nuk ndalet, bashkë 50/50

Vlora Çitaku, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se PDK do të hapet, reformohet dhe se gratë e vajzat e reja që i bashkohen kësaj partie, do ta kenë mbështetjen dhe hapësirën që e meritojnë. Çitaku, po ashtu ka thënë se ajo ka punuar me ish-presidentin Hashim Thaçi edhe para se PDK të…

Lajme

24/09/2022 23:37

Vlora Çitaku, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se PDK do të hapet, reformohet dhe se gratë e vajzat e reja që i bashkohen kësaj partie, do ta kenë mbështetjen dhe hapësirën që e meritojnë.

Çitaku, po ashtu ka thënë se ajo ka punuar me ish-presidentin Hashim Thaçi edhe para se PDK të krijohej si parti dhe se, e ka parë nga afër përpjekjen e tij të vazhdueshme për ta pasuruar PDK-në, shkruan lajmi.net.

Nënkryetarja e PDK-së, ndër tjerash ka thënë se: “Nuk kemi me u ndalë”.

Postimi i plotë:

PDK ka me u hapë. Me u reformu, jo me u tjetërsu. Gratë e vajzat e reja që po i bashkohen PDK-së do ta kenë mbështetjen dhe hapsirën që e meritojnë. Nuk ka rrugë tjetër.

Në PDK jam që nga themelimi. Në fakt, me Presidentin Thaçi kam punuar para se PDK të krijohet si parti. E kam parë nga afër përpjekjen e tij të vazhdueshme për ta pasuruar, rilindur, e reformuar PDK-në. Poashtu e di që edhe atëbotë, sikurse edhe sot, ka pasur ndonjë rezistencë.

Por, rrugëtimi ynë nuk ndalet. E unë, si një grua që ka gëzuar mbështetje e privilegje nga PDK në këto 23 vite, suksesin më nuk e peshoj me pozicionin tim. Suksesin tim e peshoj me mundësitë që do të krijojmë për gratë e vajzat e reja. Nuk kemi me u ndalë.

Bashkë. 50|50. /Lajmi.net/