Çitaku i përgjigjet Hoxhajt: Në bazë të statutit të partisë, Konventa duhet të mbahet brenda 5 ditëve
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj sot përmes një postimi në Facebook kritikoi vendimin e partisë së tij që Konventa për zgjedhjen e kryetarit të ri, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit, të mbahet të hënën. Ai u shpreh se një nguti e tillë nuk garanton garë cilësore, transmeton lajmi.net. Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka…
Lajme
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj sot përmes një postimi në Facebook kritikoi vendimin e partisë së tij që Konventa për zgjedhjen e kryetarit të ri, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit, të mbahet të hënën.
Ai u shpreh se një nguti e tillë nuk garanton garë cilësore, transmeton lajmi.net.
Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar Sekretaren e Përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku.
Ajo në përgjigjen e saj tha se në bazë të statutit të partisë, Konventa e jashtëzakonshme duhet të mbahet brenda 5 ditëve.
“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, pas dorëheqjes së Kryetarit Memli Krasniqi, Kryesia vendosi të thërrasë Konventën e Jashtëzakonshme, e cila, bazuar në nenin 35 të Statutit të Partisë, duhet të mbahet brenda pesë ditësh. Ne e inkurajojmë dhe e mirëpresim garën e brendshme. Çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret e përcaktuara me Statut është i mirëseardhur të kandidojë. Gara do ta bënte Konventën edhe më madhështore. Për secilin prej nesh, qofshim në garë ose jo, është thelbësore që në përfundim të këtij procesi të dalim të unifikuar, me vizion të qartë dhe me platformë të fortë për zgjedhjet e përgjithshme që na presin shumë shpejt. Më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare. Sepse beteja kryesore politike për secilin prej nesh është ajo se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës.”, tha Çitaku në prononcimin e saj.
Deri më tani, vetëm Bedri Hamza e ka bërë publike kandidaturën e tij për të parin e PDK-së./lajmi.net/