Çitaku: E tronditur deri në palcë me dhunën që përjetoi vajza nga Drenasi

Ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me rastin e 16-vjeçares nga Drenasi.

Lajme

06/02/2019 14:27

Mbrëmë në media u raportua se një vajzë 16-vjeçare nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga mësimdhënësi i saj dhe më pas edhe nga një zyrtar policor, shkruan lajmi.net.

Pas kësaj ngjarje ka reaguar ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, ambasadorja Çitaku është shprehur e tronditur nga kjo ngjarje.

Sipas Çitakut, ky rast flet për një problem më të thellë, më strukturor që kemi ne si shoqëri.

“Kafshë dhe monstra që këpusin krahë e dhunojnë gra ka kudo. Ajo që bënë dallimin është mënyra se si reagon shoqëria. Si reagojnë institucionet”, ka shkruar ndër të tjera Çitaku.

Reagimi i plotë i ambasadores Çitaku pa ndërhyrje:

E tronditur deri në palcë me dhunën që përjetoi vajza nga Drenasi, në duart e atyre që do të duhej të ishin aty për ta ndihmuar atë.

Ky rast flet për një problem më të thellë, më strukturor që kemi ne si shoqëri.

Lehtësia e padurueshme me të cilën i shtypim, dhunojmë, vrajmë vajzat dhe gratë.

Kafshë dhe monstra që këpusin krahë e dhunojnë gra ka kudo. Ajo që bënë dallimin është mënyra se si reagon shoqëria. Si reagojnë institucionet.

Le të jetë ky rast këmbanë e na zgjoftë nga indiferenca. /Lajmi.net/