Çitaku: Deklarata e Lunacek s’ishte goditje, ishte befasi

Vlora Çitaku thotë se procesi i liberalizimit të vizave po ecën mirë. Ajo pret që në këtë proces të ketë sa më shumë interaksion. Deklaratat e Lunacek i duken befasuese. Deklaratat e tilla thotë të mos paraqesin gjendjen faktike.

Lajme

05/02/2014 10:40

Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, thotë se procesi i liberalizimit të vizave po ecën me dinamikën e paraparë. Ajo thotë të ketë kërkuar më shumë interaksion gjatë këtij procesi.

“Procesi i liberalizimit të vizave është duke ecur sipas dinamikës që e kemi paraparë dhe misionet vlerësuese janë ato që vlerësojnë progresin në zbatimin e kritereve”.

“Kemi kërkuar më shumë interaksion gjatë këtij procesi dhe këtë kërkesë e ka pasur edhe Parlamenti Europain në rezolutën e sponsorizuar nga miqtë e Kosovës, një ndër të cilat është edhe eurodeputetja Ulrike Lunacek”.

Në një intervistë dhënë për “Epoka e Re”, Çitaku, deklaratat e eurodeputetes Ulrike Lunacek, nuk i quan goditje, por shprehet të jetë befasuar.

Gjithsesi, Çitaku mendon se këto deklarata janë nxjerr jashtë kontekstit.

“Nuk e quaj godite, më shumë befasi, pasi pikë së pari mendoj se është nxjerr jashtë kontekstit deklarata e znj. Lunacek. Mendoj se ka qenë befasuese, pasi kësi vlerësimi nuk e ka dhënë Komisioni Europian, i cili është kompetent për të vlerësuar progresin e arritur”.

“Deklarata politike të tilla mund të kenë ndikim negativ, kështu që nuk është në interes të askujt, pasi jo vetëm për vendin tonë, por edhe për Lunacek është shumë i rëndësishëm zbatimi i reformave me kohë sa më shpejt dhe mendoj se në këtë aspekt kemi qëllim të përbashkët”.

Ministrja Çitaku nuk beson se deklaratat e Lunacek paraqesin gjendjen faktike të procesit të liberalizimit.

“Jo, nuk besoj se e paraqet gjendjen faktike pasi vlerësimet tona janë të rregullta dhe ato tregojnë progres në të gjitha blloqet dhe fushat e liberalizimit të vizave”.

“Unë nuk flas me data, por datat që janë përmendur nga deklaratat e znj. Lunacek nuk besoj se qëndrojnë edhe pse siç thash, jam e sigurt se janë nxjerrë nga konteksti dhe këtë do ta qartësojë edhe me Lunacek në takimin e radhës që do ta kemi në ditët në vijim”.

Vlora Çitaku beson se deri në pranverën e këtij viti të përfundoj procesi negociator për MSA’në. Më pas ajo pret që të fillojë procesi i miratimit të tekstit të MSA’së nga Parlamenti Europan dhe Këshilli i Bashkimit Europain.

“Gjatë muajit shkurt do të mbahen takimet e radhës së grupeve punuese teknike, me ç’rast presim dakordimin e të gjitha detajeve teknike për MSA’së. Presim edhe takimin tretë i kryenegociatorëve të mbahet në pranverë 2014. Kjo do të shënojë edhe përfundimin e procesit negociator”.

“Pas përfundimit të procesin negociator dhe inicializimit të MSA’së, teksti i MSA’së do rë fillojë procesin zyrtar të miratimit të Parlamentitn Europian dhe Këshillin e Bashkimit Europian”.