Cilësimi i ezanit si zhurmë i papranueshëm

Ferid Agani thotë se barazimi i ezanit dhe kambanave me zhurma siç mund të jenë zhurma nga automjetet apo diskotekat është e papranueshme. Ai thotë se cilësimi i ezanit dhe kambanave të kishave si zhurmë është kundër vlerave qytetare dhe kombëtare.

Lajme

03/02/2014 09:42

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, njëherësh edhe Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani thotë se ezani dhe kambanat nuk duhet klasifikohen si zhurmë.

Në një intervistë dhënë për “Epoka e Re”, Agani thotë se ky asocim është kundër çdo vlere qytetare dhe kombëtare.

Kufizimin e lirisë së përdorimit të ezanit dhe të kambanave, ai thotë se për PD’në janë të papranueshme.

“Mendoj se çdo asocim i ezanit të xhamive dhe i kambanave të kishave me zhurmën është plotësisht joadekuat, i papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat e kulturës sonë qytetare dhe kombëtare”.

“Çfarëdo kufizimi i lirisë së përdorimit të ezanit nga mënyra siç bëhet sot është plotësisht e papranueshme për PD’në dhe do të interpretohet si tjetërsim i plotë i institucioneve shtetërore dhe interesat shpirtërore të shumicës absolute të qytetarëve të saj”.

Ferid Agani thotë se projektligji duhet të ketë për qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga zhurmat e pakontrolluara, të cilat shkaktohen nga faktori njeri. Ai thotë se nuk duhet barazuar ezani dhe kambanat me zhurmën e automjeteve apo me zhurmën e diskotekave.

“Projektligji, sipas mendimit tim, duhet të ketë për qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga zhurmat e pakontrolluara, nga zhurmat të cilat janë vullnet i individëve, i lokaleve, grupeve të caktuara dhe asnjë mënyrë nuk duhet të bëhet asocimi me norma fetare”.

“Asesi nuk bën ta barazojmë ezanin ose kambanat me zhurmën e automjeteve ose zhurmën e diskotekave apo lokaleve të natës”.