Cilat janë shanset që Thaçi, Daçiq e Ashton ta fitojnë Nobelin për Paqe

Në muajin e ardhshëm ndahet Çmimi Nobel për Paqe. Në mesin e shumë personaliteteve dhe organizatave, aty janë të nominuar edhe Hashim Thaçi, Ivica Daçiq e Catherine Ashton. Por cilat janë shanset ata të e fitojnë këtë çmim prestigjioz? 

Lajme

12/09/2014 21:43

Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e arritur më 19 prill të vitit të kaluar në Bruksel, u cilësua si historike nga faktorë relevant të politikës ndërkombëtare.

Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq që nënshkruan këtë marrëveshje me ndërmjetësim të shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton u nominuan për Çmimin Nobel për Paqe.

Mediat serbe raportojnë se, “Bastoret” tanimë kanë filluar t’i paraqesin listat se kush janë ata se kush i ka shanset më të mëdha për ta fituar këtë çmim, transmeton lajmi.net. 

Treshja e nominuar për Çmimin Nobel të Paqes, nga përfaqësuesit e shqiptarëve dhe serbëve në Kongresin amerikanë vlerësohet të jetë më e favorizuar se sa Tony Blair, Angeline Joly e Vladimir Putin. 

Derisa Thaçit, Daçiqit e Ashtonit u është caktuar koeficienti 20, ish kryeministri britanik, aktorja amerikane dhe presidenti rus kanë koeficientin 50 (sa më i lartë koeficienti, shanset për fitim më të vogla). 

Ndërsa në krye të listës së atyre që kanë shanset më të mëdha për ta fituar këtë çmim, janë Papa Francis dhe gjinekologu Denis Mukvege. 

Ky mjek mund ta fitojë Nobelin për përpjekjet e tij për të përmirësuar jetën e grave që ishin viktima të dhunës seksuale në Afrikë. 

Vjeshtën e kaluar ai ishte në mesin e atyre që kishin shanset më të mëdha, por e humbi garën përballë Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. 

Me shanse më të mëdha në këtë listë se sa Thaçi, Daçiq e Ashton, janë edhe Edward Snowden, Helmut Kohl e Bill Clinton.

Për çmimet e këtij viti në Nobel pati rekord të nominimeve, duke përfshirë 231 individë dhe 47 organizata. Fituesi i këtij çmimi do të shpërblehet me 1.2 milion dollarë. (lajmi.net)