Cila është historia e rrëmbimit të gjermanes nga i dashuri kosovar?

Historia e rrëmbimit të 27-vjeçares gjermane nga ish-dashuri i saj kosovar dje në Tiranë, duket se e ka zanafillën tetorin e vitit të kaluar, kur çifti pas grindjeve të herëpashershme gjatë lidhjes së tyre 7 vjeçare, është ndarë përfundimisht.

Lajme

02/03/2015 16:14

Burime për A1Report thanë se Katerina Erekter është rrëmbyer nga 49-vjeçari Hamdi Berisha edhe në tetor të 2014-ës në Rrugën e Elbasanit. Sipas të njëjtave burime, 49-vjeçari është kapur në kufi në tentativë për të larguar ish-të dashurën gjermane në Kosovë. Deklarimet e të resë në polici ishin se kishte shkuar me dëshirën dhe se nuk kosovari Berisha nuk kishte ushtruar dhunë ndaj saj.

Por ripërsëritja e të njëjtës skenë mbrëmjen e kësaj të diele në kryeqytet, çoi policinë në pistën e rrëmbimit. Rreth orës 19:30 të 1 Marsit 27-vjeçarja gjermane u mor me forcë në makinë nga ish-i dashuri dhe dy shokë të tij. Pas sinjalizimit nga vetë qytetarët, policia arriti ta shpëtojë dhe të vë në pranga Hamdi Berishën me origjinë nga Kosova dhe banim në Durrës si dhe të shpallë në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij. Katerina Erekter u gjet nga policia e kryeqytetit pak metra larg makinës që autorët kishin braktisur në Vorë.

A1 Report mëson se gjermania përndiqej nga ish-i dashuri i saj dhe se shkak për rrëmbimin e fundit është bërë lidhja që Katerina kishte nisur në Tiranë me një shqiptar. Berisha nuk e pranonte ndarjen dhe nuk e linte të krijonte lidhje me njeri tjetër. Edhe pas këtij rrëmbimi, synimi i Hamdi Berishës ishte ta çonte sërish në Kosovë, plan i cili u parandalua nga policia.

Sipas policisë, pengmarrësi Berisha pretendon se vajza i kishte vjedhur bizhuteri të ndryshme dhe një sasi parash në një hotel në Durrës, ku ai prentendon se katerina Erekter ka qëndruar nga tetori i 2014-ës deri në janar të këtij viti. Por, mësohet se gjermania nuk ka pranuar vjedhjen.