Ciklon në Itali

Të paktën 17 persona kanë humbur jetën si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga një ciklon dhe nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë sulmuar ishullin italian të Sardenjas.

Bota

19/11/2013 14:31

Një numër i njerëzve janë raportuar si të humbur pasi që lumenjtë kanë dalë nga shtretërit e tyre, duke marrë në ujërat e tyre vetura dhe duke shkaktuar kolaps të urave.

Zona që është goditur më së keqi është në veri-lindje të qytetit të Olbia’s.

Kryeministri Enrico Letta ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka folur për një “tragjedi kombëtare”.

Letta tha se 20 milionë euro do të ndahen menjëherë, në përpjekje për ndihmat emergjente dhe ushtarët gjithashtu do të dislokohen në rajon.

“Ne jemi të fokusuar në operacione esenciale : që të shpëtojmë jetët e njerëzve, që të asistojmë tek njerëzit e zhvendosur dhe poashtu të pastrojmë rrugët në mënyrë që të ketë qasje në to”, tha ai pasi kabineti i tij u mblodh në një mbledhje të jashtëzakonshme këtë të martë.

Një familje braziliane 4 anëtarëshe u mbyt kur bodrumi në banesën e tyre në qytetin e Arzachena, në pjesën veriore të ishullit, u mbush me ujë. Dy fëmijë ishin në mesin e të vdekurve.

Tre persona humbën jetën kur një urë kolapsi dhe ra mbi veturën e tyre afër qytetit të Olbia’s, raportojnë mediet italiane.

Në një incident të ndarë, një nënë dhe vajza e saj u gjetën të vdekura në veturën e tyre, të cilën e kishte marrë rrjedha e ujit.

Në mesin e viktimave ishte edhe një polic i cili humbi jetën kur ura kolapsoi, pasi ai po mundohej që të shoqëronte një autoambulancë.

Qindra presona përgjatë ishujve të mesdheut janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga cikloni Cleopatra.

“Ne jemi në gjendje gatishmërie maksimale”, tha për Rai TV, Giorgo Cicalo, një zyrtar i mbrojtjes civile nga ishulli i Sardenias.

“Ne nuk kemi parë një situatë ekstreme si kjo, ndoshta për dekada të tëra- posaçërisht sepse ka përfshirë gjithë ishullin”.

Sipas raportimeve, niveli i ujit  në disa zona arrin deri në 3 metra lartësi.

Guvernatori i Sardenias, Ugo Cappellacci i tha thënë televizionit italian se situata në ishull është “dramatike”.

Në ndërkohë, Kryetari i Komunës së Olbia’s, Gianni Giovanelli është cituar të ketë thënë se qyteti është “goditur nga një stuhi apokaliptike”.

Disa banorë të qytetit kanë përdorur rrjetet sociale për të ofruar strehim për ata që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Qendra e Motit të BBC thotë se përmbytjet u shkaktuan nga një zonë e thellë e presionit të ulët që ka qenë e vendosur mbi Mesdhe, duke sjellë shi të rëndë.

Kushtet e paqëndrueshme klimatike pritet që të lëvizin nëpër Itali dhe më tej në lindje, duke sjellë edhe rrebeshe më të mëdha të shiut, që do sillnin rrezikun e vërshimeve, sidomos në qytetin e Venecias.

Kjo stuhi ka shkaktuar dëme të mëdha në aspektin financiar, sidomos në fermat e Sardenjas dhe poashtu ka bërë që të ndërpriten fluturimet nga Italia për në vendet e tjera.

Presidenti italian Giorgo Napolitano ka shprehur “solidaritet me komunitetet e përfshira” dhe “simpati të përzemërt për familjet e viktimave të shumta”.