Cikalleshi te Rizespor i Ujkanit në Turqi

Sokol Cikalleshi ka vendosur të nënshkruajë me një klub të ri.

Sport

26/07/2018 12:28

Dilema për të ardhmen, por një konfirmim në të tashmën. Sokol Cikalleshi nuk e ka humbur sensin e protagonizmit dhe nuhatjen përpara portës. Sulmuesi shqiptar shënoi në miqësoren që skuadra e tij, Osmanlispor, fitoi 2-1 përballë Alaniasporit, gjatë fazës përgatitore përpara startit të sezonit të ri.

Cikalleshi finalizoi një kundërsulm të shpejtë të ekipit të tij, duke bërë gjithçka mirë në kontrollin e topit, ndërsa me të majtën e dërgoi topin në rrjetë, për të marë duartrokitjet e të pranishmëve.

Sulmuesi kavajas vijon normalisht përgatitjet me skuadrën e tij, por natyrisht që vëmendja kryesore është te merkato. Osmanlispori tashmë do të luajë në Ligën e dytë turke, pasi sezonin e kaluar nuk arriti të siguronte qëndrimin në Superligë.

Cikalleshi, nga ana e tij, do të dëshironte të kthehej të luante mes më të mirëve dhe ambicia nuk është e pabazuar. Interes serioz për sulmuesin e Kombëtares Shqiptare ka shfaqur Rizespori, ekipi i sapo kthyer në elitë dhe që synon të formojë një skuadër cilësore, me futbollistë me eksperiencë në nivele të larta, transmeton “SS”.

Së fundmi ekipi nga rajoni i Detit të Zi bleu nga Kremoneze portierin Samir Ujkani. Drejtuesit e Rizesporit po mendojnë që kapitenit të përfaqësueses kosovare t’i shtojnë edhe sulmuesin kuqezi, për të realizuar objektivin e mbijetesës në Superligë.