Cikalleshi shpëtoi RNK Splitin

Transferimi i Sokol Cikalleshit në Turqi tek Istanbul Basaksehir ka shpëtuar klubin kroat, RNK Split, nga një “furtunë” largimesh. Skuadra ku u aktivizua sulmuesi kuqezi në sezonin e fundit ka qenë e përfshirë në një krizë financiare gjatë muajve të fundit, teksa lojtarët janë ankuar për probleme me pagat.

Sport

05/07/2015 15:40

Presidenti i RNK Split, Slaven Zuzul, mësohet se ka pasur përplasje me qeverinë kroate, teksa sipas mediave vendëse akuzohet për abuzime në tendera shtetërore, shkruan Gazeta Olle.

Mirëpo, konflikti i presidentit kishte ndikuar direkt në klub në anën financiare dhe oferta e turqve të Istanbul për Cikalleshin ka shpëtuar skuadrën kroate. “Pas shitjes së shqiptarit për shumën e 1.8 milionë eurove te turqit e Istanbul, në klubin kroat nisën të bëheshin pagesat e prapambetura të lojtarëve nga sezoni i fundit, por edhe disa borxhe të tjera të mbartura. Shitja e Cikalleshit ka shpëtuar Splitin, që në këtë moment nuk po kalon një situatë të mirë financiare. Tashmë është fakt se për sezonin e ri RNK Split po kërkon vetëm lojtarë me parametra zero, pasi e ka të pamundur të paguajë kesh.

Kjo gjë ndodhi edhe me Amir Rrahmanin, që u transferua nga Partizani me parametra zero. Shitja e Cikalleshit e nxori deri diku nga kriza klubin kroat, për të vijuar punën i qetë në prag të sezonit të ri”, ka treguar dje për “Panorama Sport” një burim i sigurt pranë klubit të RNK Split.

Transferimi

Pas transferimit në Turqi, Cikalleshi zbuloi pak ditë më parë për gazetën kontratën faraonike, në një kohë që foli edhe për klubin kroat.

“Bëhet fjalë për një kontratë 4-vjeçare, nga e cila do të përfitoj 550 mijë euro neto në sezon dhe bashkë me bonuset mund të shkojë 650. Pagesa do të shkojë në rritje çdo vit që kalon. Në total kontrata ime shkon 2.5 milionë euro neto, pa futur këtu disa bonuse të parashikuara në marrëveshjen që bëmë me klubin. Normalisht që drejtuesit e Splitit ishin shumë të kënaqur, pasi jam ndër shitjet më të mëdha të historisë së klubit. Për ata ishte sukses i madh, sepse kanë shpenzuar 100 mijë euro për mua te Kukë- si, ndërsa tani kanë marrë nga turqit afro dy milionë euro”, – pat thënë sulmuesi kuqezi.