Churkin: Rusia dëshiron të ndalojë shitjen e paligjshme të naftës nga ISIS

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara (OKB), Vitaly Churkin, është shprehur optimist se projektrezoluta që së shpejti do të dorëzohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, do të vendosë kontroll më të rreptë mbi financimin e grupeve terroriste, duke përfshirë ekstremistët e Shtetit Islamik.

Bota

02/12/2015 11:02

Gjatë një interviste dhënë Associated Press, Churkin ka deklaruar se kjo rezolutë do të ndjekë rezolutën e Rusisë të miratuar njëzëri më 12 shkurt, me të vetmin qëllim të ndërpresë shitjet e paligjshme të naftës, gjësendeve antike, dhe metodave tjera që i përdorin grupet ekstremiste për të financuar operacionet terroriste, transmeton lajmi.net.

“Jemi duke punuar në atë drejtim. Nuk është diçka e komplikuar”, ka deklaruar Churkin duke shtuar se projektrezoluta së shpejti do të përfundojë dhe ti shpërndahet anëtarëve të OKB-së.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samatha Power u ka thënë gazetarëve se Shtetet e Bashkuar pajtohen me propozimin e Rusisë, sepse edhe ata janë të përqendruar  në ndërprerjen e financimin e terrorizmit. (lajmi.net)