Chiellini e falë Suarezin
Giorgio Chiellini thotë se dënimi i Luis Suarezit nga FIFA është i “tepërt” dhe shpreson që sulmuesi i Uruguait do të jetë në gjendje që së paku t’i ndjekë ndeshjet së bashku me ekipin.

Sport
Qendërmbrojtësi i Italisë, Giorgio Chiellini ka thënë se Luis Suarez mori dënim të “tepërt” nga FIFA.
Sulmuesi i Uruguait e kafshoi Chiellinin në krah në ballafaqimin mes skuadrave në kuadër të Grupit D në Kampionatin botëror.
Ndërsa, FIFA e dënoi Suarezin me nëntë ndeshje moslojë për Uruguain dhe katër muaj suspendim nga çfarëdo aktiviteti futbollistik.
“Mendoj se dënimi i shqiptuar është i tepërt”, ka shkruar Chiellini në faqen e tij zyrtare.
“Shpresoj që t’i zvogëlohet, së paku në mënyrë që të jetë së bashku me ekipin gjatë ndeshjeve”, shtoi ai. Kjo vështirë se do të ndodhë sepse FIFA e vlerësoi si sjellje të dhunshme veprimin e Suarezit. Kurse, Chiellini e falë atë.
“Nuk kam ndjenjë të gëzimit, hakmarrjes ose hidhërimit kundër Suarezit. Mendimet e mija të vetme janë për të dhe familjen e tij sepse gjenden në një periudhë shumë të vështirë”, përfundoi ai.