Chelsea rikthen Tiagon

Tiago Mendes nuk do të vazhdojë kontratën e tij me Atletico Madridin, dhe do të rikthehet në Chelsea. Mesfushori portugez kërkohet nga Jose Mourinho, pas largimit të David Luizit drejt Paris Saint-Germain.

Sport

27/05/2014 14:56

Mesfushori i Atletico Madridit, Tiago Mendes do të rikthehet te ish skuadra e tij, Chelsea.

Sipas të përditshmes sportive madrilene As, Tiago nuk do të vazhdojë kontratën e tij me Atleticon, dhe do të largohet gjatë afatit kalimtar të verës, duke iu bashkuar gjigantit londinez, si futbollist i lirë.

Menaxheri i Chelseas, Jose Mourinho kërkon Tiagon, pas largimit të David Luizit, por me kusht që ai të paraqet mbulesë për serbin Nemanja Matic, në qendër të mesfushës.

Tiago, deri në fund të këtij sezoni, ka qenë një prej futbollistëve kryesor të Atleticos, zëvendës kapiten i ekipit të Diego Simeones, në statusin e titullarit të padiskutueshëm.

Me largimin e Luizit drejt Paris Saint-Germain, Mourinho kërkon rikthimin e Tiagos në Stamford Bridge, ku ai luajti gjatë stinorir 2004-05.