Chelsea pasuron Costan

Chelsea do të ofrojë 35 milionë funte për transferimin e sulmuesit të Atletico Madridit, Diego Costa. Blues janë të gatshëm ta shndërrojnë atë në njërin prej futbollistëve më të paguar në histori të Premierligës.

Sport

17/04/2014 18:23

Chelsea është i gatshëm të paguajë Diego Costan 250 mijë funte në javë për të kompletuar transferimin e tij në Stamford Bridge në fund të sezonit.

Blues, që takohen me Atletico Madridin e Costas në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, nuk e mbajnë sekret interesimin për brazilianin e natyralizuar në spanjoll.

Dhe, pasi drejtues të Atleticos pranuan më herët gjatë kësaj jave se do të jenë të pafuqishëm të ndalin largimin e sulmuesit në verë, Chelsea është duke punuar për transferimin e tij.

Sipas medieve spanjolle, Jose Mourinho ka dhënë aprovimin për paraqitjen e një oferte me vlerë prej 35 milionë funtesh, ndërsa gjiganti londinez do ta paguajë Costan 250 mijë funte në javë, pa llogaritur bonuset, duke e bërë një prej futbollistëve me rrogën më të madhe në histori të Premierligës.

Chelsea pritet të intensifikojë përpjekjet për angazhimin e Costas në fund të sezonit pasi Mourinho tashmë një kohë të gjatë është në kërkim të një golashënuesi tipik.