Chelsea dhe Napoli sigurojnë çerekfinalen, Valencia merr biletë në frymën e fundit

Chelsea, Napoli dhe Valencia janë tre çerekfinalistët e parë në Ligën e Evropës këtë edicion.

Sport

14/03/2019 20:47

Chelsea e ka demoluar skuadrën e Dynamo Kyiv duke e mposhtur në udhëtim me rezultatin 0:5.

Edhe pas fitores 3:0 në ndeshjen e parë, lojtarët e Maurizio Sarri nuk morën asgjë si të sigurt dhe dhanë maksimumin e tyre edhe në ndeshjen kthyese.

Në këtë takim ishte sulmuesi francez Olivier Giroud ai i cili shkëlqeu duke shënuar tri gola, shkruan lajmi.net.

Nga një gol për skuadrën e Chelsea realizuan edhe mbrojtësi spanjoll Marcos Alonso, i cili shënoi golin e tretë për skuadrën e tij, si dhe Callum Hudson Odoi që shënoi golin e fundit.

Në anën tjetër, edhe përkundër humbjes, Napoli siguroi kalimin në fazën çerekfinale pas dy përballjeve me Salzburg.

Italianët u mposhtën në udhëtimin në Austri, me rezultatin 3:1.  Të parët në epërsi kaluan italianët me anë të Arkadiusz Milik. Vendasit u rikthyen me golat e Dabbur, Gulbrandsen e Leitgeb.

Tutje kaloi edhe skuadra e Valencias, e cila falë golit të shënuar në minutën e fundit të takimit, siguroi një biletë për kalimin tutje. Ata sot luajtën baras 1:1 kundër Krasnodar. /Lajmi.net/