Chelsea bombardon Arsenalin

Në ndeshjen jubilare të 1000’të në drejtim të Arsenalit, Arsene Wenger mori një dhuratë të hidhur nga Chelsea. Blues mposhtën rivalin e qytetit me rezultat të thellë 6:0, duke e përforcuar edhe më tepër statusin e liderit në Premierligë.

Sport

22/03/2014 14:38

Chelsea i bëri një dhuratë të hidhur menaxherit të Arsenalit, Arsene Wenger në ndeshjen e tij jubilare, të 1000’të në drejtim të ekipit.

Blues triumfuan me rezultat të thellë 6:0 duke turpëruar rivalin e qytetit dhe përforcuan pozitën e liderit në Premierligë. Dueli nisi furishëm për ekipin e Jose Mourinhos që kaloi në epërsi pas pesë minutash lojë me golin e sulmuesit Samuel Eto’o.

Vetëm dy minuta më vonë Andre Schurrle e dyfishoi avantazhin e vendasve. Kurse, në minutën e 15’të, Alex Oxlade-Chamberlain luajti me dorë brenda zonës dhe gjyqtari akordoi penallti. Mirëpo, ai mori një vendim të gabuar duke përjashtuar nga loja mbrojtësin Kieran Gibbs.

Si do që të jetë Eden Hazard nuk gaboi nga pika e bardhë dhe e dërgoi Chelsean në epërsi të konsiderueshme. Pak para përfundimit të pjesës së parë, Oscar shënoi golin e katërt nga afërsia pas një asistimi nga Fernando Torres i cili u inkuadrua në lojë pas një lëndimi që pësoi Eto’o.

Rrjedha e lojës nuk ndryshoi as pas intervalit pasi Chelsea nuk i ndali sulmet dhe e shënoi golin e pestë nëpërmjet Oscarit në minutën e 66’të.

Mesfushori brazilian ia liroi vendin përforcimit të ri Mohamed Salah i cili e realizoi debutimin në mënyrën më të mirë të mundshme duke shënuar golin e gjashtë të Chelseas në minutën e 71’të kur u tregua i saktë në rastin kur u gjend i vetëm përball portierit Wojciech Szczesny.

Kjo është hera e parë në Premierligës që Chelsean shënon gjashtë gola nën drejtimin e Mourinhos. Me këtë fitore, Blues u ngjitën në kuotën e 69 pikëve, kurse Arsenali, me një ndeshje më pak të zhvilluar ka 62, në pozitën e tretë. Wenger përveç humbjes së rëndë, dështoi të shënojë fitoren e parë në karrierën e tij ndaj Mourinhos.