Chelsea – Atletico, nuk është futboll

Mesfushori i Bayern Munichut, Arjen Robben kritikon Atletico Madridin dhe Chelsean për kualitetin e lojës që shfaqën në barazimin pa gola në duelin e parë gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve në Vicente Calderon.

Sport

30/04/2014 14:05

Ylli i Bayern Munichut, Arjen Robben nuk do ta shikojë ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve mes Chelseas dhe Atletico Madridit sepse nuk i pëlqeu ajo që përcolli në duelin e parë.

Robben ishte pjesë e ekipit të gjigantit bavarez që u turpërua 4:0 nga Real Madrid në shtëpi duke i eliminuar nga gara të martën mbrëma.

Mirëpo, mesfushorit holandez nuk i intereson se me kë do të takohet Reali në finale, edhe pse luajti për Chelsean mes 2004 dhe 2007.

Robben kritikoi kualitetin e futbollit që shfaqi ballafaqimi i parë në Madrid ku skuadrat u ndanë në barazim 0:0.

I pyetur për ndeshjen e sotme, Robben deklaroi: “Nuk më intereson. I kam shikuar 90 minutat e javës së kaluar dhe nuk mund ta përcjellja. Ndeshja nuk kishte të bënte asgjë me futboll”.

“I respektoj të dy trajnerët, Jose Mourinho dhe Diego Simeone, dhe secili ka mënyrën e tij, por mendoj se Real Madrid do të fitojë Ligën e Kampionëve dhe i uroj atyre gjitha të mirat”, u shpreh Robben.