Chelsea – Atletico në 10 numra

Sonte në Stamford Bridge, Chelsea pret Atletico Madridin në betejën që do të kompletojë finalen e Ligës së Kampionëve. Lexoni numrat me kuriozitetet më interesante të skuadrave.

Sport

30/04/2014 15:45

Chelsea pret Atletico Madridin në ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Blues kërkojnë fitoren në shtëpi që me çfarëdo rezultati do t’ua siguronte finalen e madhe. Mirëpo, Los Colchoneros mund të shkojnë tutje edhe me barazim me gola. Ja numrat e kurioziteteve më interesante të sfidës.

11 – Numri i gjysmëfinaleve te zhvilluara nga Chelsea në garat e UEFA-së. Bilanci është pesë kualifikime dhe gjashtë eliminime.

1 – Atletico Madrid ka fituar vetëm një herë në Angli në gara të UEFA-së: 2:0 në shtëpi ndaj Leicester City në rrethin e parë të Kupës UEFA më 1997/98, me golat nga Juninho Paulista e Jose Mari.

27 – Atletico Madrid është skuadra e 27-të që ka arritur gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, e shtata spanjolle.

41 – Në 41 vjet e 198 ditë, portieri i Chelseas, Mark Schëarzer do të përforcojë primatin si futbollisti më i vjetër që paraqitet në një duel me karakter eliminimi në Ligën e Kampionëve. Primati absolut sa i përket fazës së grupeve, i takon ish portierit të Lazios, Marco Ballota: 43 vjeç e 253 ditë.

1 – Chelsea ka humbur vetëm një herë në Stamford Bridge kundër një skuadre spanjolle në gara të UEFA-së: 1:2 nga Barcelona, më 22 shkurt 2006, në ndeshjen e kthimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

83 – Paraqitjet e David Villas (me 28 gola) në gara të UEFA-së. Futbollisti më me përvojë në ekipin e Atletico Madridit. Pesë futbollistë të Chelseas kanë më tepër paraqitje se ish ylli i Barcelonës.

4 – Kualifikimet e Atletico Madridit në gara të UEFA-së, pas barazimeve 0:0 në ndeshjen e parë në shtëpi. Kurse, tri është numri i eliminimeve.

0 – Humbjet e Atletico Madridit gjatë këtij edicioni të Ligës së Kampionëve. Me tetë fitoe dhe tri barazime, Atletico është skuadra e vetme e pamposhtur në mesin e gjysmëfinalistëve.

169 – Goditjet e palejueshme të shkaktuara nga futbollistët e Chelseas gjatë këtij edicioni të Ligës së Kampionëve, më tepër se cilado skuadër tjetër.

70,09% – Përqindja e dueleve të fituara nga Branislav Ivanovic (82 nga 117). Në mesin e futbollistëve që kanë pasur së paku 100 dyluftime në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, mbrojtësi serb ka përqindjen më të lartë.