Challandes i motivoi futbollistët duke ua kujtuar të kaluarën e rëndë të popullit të Kosovës

Selektori i Kosovës, Bernard Challandes ka gjetur një formë të mrekullueshme për t’i motivuar futbollistët e tij përpara sfidës me Bullgarinë.

Sport

11/06/2019 14:52

Tekniku zviceran e ka gjetur mënyrën më të mirë për t’i motivuar futbollistët e Kosovës, të cilët janë të etur nga dëshira e madhe për të bërë krenar një popull të tërë përmes rezultateve pozitive në arenën ndërkombëtare.

Para se të dilnin në fushë, Challandes u ka kujtuar futbollistëve përjetime e rënda të popullit të Kosovës dhe gjeneratave në vazhdimësi, shkruan lajmi.net.

“U kam folur për historinë e Kosovës që ka vuajtur shumë vjet. U kam thënë lojtarëve se ju nuk mund të jeni lojtarë si të tjerët duke marrë parasysh vuajtjet e prindërve dhe gjeneratave të shkuara në Kosovë. Ata ishin të mrekullueshëm. Luajtën me zemër për Kosovë”, zbuloi Challandes.

‘Dardanët’ arritën fitore spektakolare mbrëmë në Sofje, duke triumfuar krejt në fund me rezultat 3-2 dhe duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim në Euro 2020 përmes eliminatoreve.

Festa ishte e jashtëzakonshme, si për të pranishmit në stadiumin nacional ‘Vasil Levski’ por edhe për ata që nuk kishin mundësi të udhëtonin drejt kryeqytetit bullgarë. /Lajmi.net/