Çfarë ndodhi 11 vjet më parë? Shembja e pallatit në Gjirokastër, deklaratat e Berishës dhe Ramës dhe arrestimet

19:34 | 2 Dhjetor 2019

Pamje nga pallati i rrënuar gjatë viti 2008

Në 9 nëntor të vitit 2008, qyteti i Gjirokastrës u trondit nga një ngjarje e rëndë teksa një pallat 5 katësh u shemb duke zënë nën rrënoja 3 persona.

Shkaku i shembjes së pallatit ishte gropa e hapur për ndërtimin e një pallati të ri, vetëm pak metra më tej.

Menjëherë në vendngjarje mbërritën kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, por edhe Edi Rama që drejtonte opozitën. Të dy kërkuan të njëjtën gjë.

Vetëm një ditë pas tragjedisë, në datën 10 nëntor policia arrestoi 8 persona mes të cilëve pronarin e firmës që po ndërtonte pallatin e ri, shefen e inspektoriatit të ndërtimit në Gjirokastër si dhe shumë zyrtarë të tjerë të bashkisë.

Shumë nga këta persona u dënuan me burg deri në 5 vjet në të gjitha shkallët e gjykimit, ndërsa kompania ndërtuese i pagoi mbrapsh qeverisë të gjitha shpenzimet për strehimin e familjeve që humbën shtëpitë. Fiks 11 vite më vonë Shqipëria u përball me një tragjedi shumë më të madhe, ku dhjetëra pallate u shembën si pasojë e tërmetit ndërkohë që qindra dhe mijëra të tjera janë të pabanueshëm.

Shumica dërrmuese e pallateve të shembura nga tërmeti dhe atyre që sot janë të pabanueshme mendohet se kanë abuzime në cilësinë e ndërtimit. Në Durrës zyrtarët kanë shkelur ligjin duke dhënë leje në vende ku nuk mund të ndërtohet, ndërsa ndërtuesit kanë abuzuar me standardet e sigurisë për të nxjerrë fitime të paligjshme. Por pavarësisht se këto shkelje i morën jetën 51 personave dhe lanë pas qindra milionë euro dëme këtë herë qeveria hesht. Edi Rama i Durrësit duket ndryshe nga ai i 11 viteve më parë në Gjirokastër. Për habi heshtja ka pllakosur edhe opozitën, pasi as Lulzim Basha nuk ka kërkuar vënien para ligjit të përgjegjësve.

Edhe pse prokuroria e Durrësit njoftoi nisjen e hetimeve, politika hesht në sinkron, një heshtje qe duket gati gati si e koordinuar për të shpallur fajtor tërmetin dhe për t’ia hedhur koston e rindërtimit qytetarëve. Por ata që shkaktuan 51 viktima të pafajshme dhe qindra milionë euro dëme kanë emër. Familjarët që sot janë në rrugë i njohin mirë se kush janë zyrtarët, inxhinierët dhe ndërtuesit të cilët ju ndërtuan ferrin mbi rërën e Durrësi. Pavarësisht heshtjes së politikës në Tiranë./tch