Çfarë dihet për virusin e ri nga Kina?

Pasi filloi përhapja e një virusi të ri brenda dhe jashtë Kinës, zyrtarët e shëndetësisë po përpiqen ta ndalin atë. Por, virusi është kaq i ri, sa që nuk dihet shumë për të. Zëri i Amerikës bëri një përmbledhje të informacionit që dihet deri tani për këtë virus koronë.

Bota

23/01/2020 20:23

Njerëzit nga Kina po kontrollohen nëpër aeroporte, si brenda edhe jashtë vendit. Ata kontrollohen për temperaturë dhe për simptoma të tjera të këtij virusi të ri të rrugëve të frymëmarrjes.

Quhet virus korona, pasi ka pamjen e një kurore.

I ftohti i zakonshëm është një tjetër shembull i virusit korona, por të tilla janë edhe viruset vdekjeprurëse të rrugëve të frymëmarrjes.

SARS-i i pati fillimet tek kafshët e një tregu mishi në Kinë.

Më pas u shfaq një tjetër virus korona nga Lindja e Mesme, i quajtur MERS.

“MERS erdhi ndoshta nga lakuriqët e natës, por tashmë gjendet kudo në radhët e deveve në mbarë Lindjen e Mesme, dhe vazhdon të përhapet nga devetë tek njerëzit. Pra të gjithë këto viruse korona shfrytëzojnë një bartës që i mundëson të zhvendoset nga kafshët tek njeriu”, thotë Matthew Frieman, i Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Merilendit.

Virusi më i fundit korona duket se e ka origjinën nga tregu ushqimor në qytetin kinez Wuhan, me një popullsi prej rreth 11 milionë banorë. Viruset respiratore zhvendosen nëpërmjet ajrit. Mund të transmetohen nëpërmjet të kolliturit, tështimës, prekjes së një sipërfaqeje të infektuar dhe më pas prekjes së gojës, hundës apo syve. Zoti Frieman thotë se është më e lehtë të marrësh një virus korona se sa p.sh. Ebolan, e cila përhapet nëpërmjet lëngjeve trupore.

Deri më tani, ky virus i ri duket se nuk ka në objektiv një grup të caktuar. Megjithatë, mosha ka disavantazhet e saj.

“Nëse je i moshuar, mbi 65 vjeç, ke më shumë rrezik komplikacionesh. Megjithatë nuk ka kufizime moshash”, thotë Dr. Anthony Fauci, i Institutit Kombëtar të Shëndetit.

Ndër komplikacionet e mundshme janë pneumonia, bronshiti, bllokimi i veshkave, grumbullimi i lëngjeve në mushkëri, si dhe vdekja.

“Nëse ju shkakton një infeksion të dytë bakterial, mund të merrni antibiotikë. Nëse ju shkakton vështirësi frymëmarrjeje dhe ju duhet ndihmë, mund të përdorni një respirator. Por, nuk ka një trajtim efikas dhe të provuar shkencërisht për këtë virus koronë të ri”, thotë Dr. Fauci.

Shkencëtarët në mbarë botën po studiojnë virusin.

“Ajo çfarë duhet të mësojmë është se nga vjen vërtet ky virus… Pastaj duhet të shohim se si virusi shkakton sëmundjet dhe nëse mund të zhvillojmë diagnostikimin në mënyrë që të dimë më mirë se si përhapet në komunitet”, thotë zoti Frieman.

Ndërkohë, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandon larjen e shpeshtë të duarve, mbulimin e të kolliturit me krah ose me shami, dhe nëse dyshoni se mund ta keni marrë virusin, të njoftoni doktorin.