Çfarë bëri Jahjaga për 3 vjet mandat?

Mënyra e zgjedhjes në postin e Presidentes së vendit, ka qenë hendikep për punën e Atifete Jahjgës gjatë këtyre viteve, vlerësojnë analistët. Sipas tyre, Jahjaga më shumë është vlerësuar jashtë vendit sesa brenda tij.

Lajme

06/04/2014 13:02

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjga, të hënën (më 7 prill), mbushë tre vjet që kur është emëruar në postin e të parit të vendit. Ajo në këtë pozitë kishte ardhur me një marrëveshje “xhentëlmene” nga liderët politikë Thaçi-Mustafa- Pacolli, me ndërmjetësimin e Ambasadorit të atëhershëm të SHBA-ve, Christopher Dell.

Mirëpo, analistët punën e Presidentes Jahjaga e shohin më shumë si çështje imazhi sesa funksionale.

Sipas analistit Ardian Arifaj, mënyra se si është emëruar Jahjaga në postin më të lartë politikë në vend, ka qenë hendikep në punën e saj.

Arifaj në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se në bazë të kompetencave që ka Presidenti i vendit, për punën e bërë Jahjaga mund të marrë notë kaluese.

“Mandati i presidenti në Kosovë është shumë i limituar, nuk ka një rol shumë aktiv në politikë-bërje, por më shumë është një autoritet formal mbikëqyrës pasi ka fuqinë që i duhet për nënshkrimin e ligjeve dhe të drejtën për kthimin e tyre”.

“Kur e kemi parasysh mandatin pra atëherë mundemi me i ja dhanë një notë kaluese”.

“E ka një mandat të kufizuar dhe nuk duhet me pritë shumë për politikë-bërje e as për implementim të politikave”, ka thënë ai.

Arifaj ka thënë se nuk duhet mohuar punën e Jahjagës për Lirinë e shprehjes, pasi refuzoi nenin 8 dhe 38 të Kodit Penal të Kosovës.

Në punën e Presidentes Jahjga për këto tri vite, sipas Arifaj, problem ka paraqitë edhe mënyra e zgjedhjes së saj.

“Një hendikep i madh ka qenë se prej fillimit nuk është pritë mirë për shkak të mënyrës që është emëruar ajo, dhe qytetari i Kosovës vazhdimisht ja ka zënë për të madhe mënyrën se si është emëruar dhe shpesh herë të krijohet përshtypja se nuk i është dhënë presidentes mundësia me pa nëse është duke e kryer punën e vet mire, apo jo”.

Njëra nga përgjegjësitë kushtetuese të Presidentit të Kosovës është edhe promovimi i vendin jashtë kufjeve shtetëror. E sipas Arifajt Presidentja në këtë aspekt s’e ka kryer punë bukur mirë.

Sipas tij, Jahjaga duke qenë presidentja e vetme në rajon, është pa si një përparësi shumë e madhe edhe për vet presidenten por, edhe për Kosovën.

“Jashtë Kosovës është shikuar më sy më të mirë se brenda Kosovës, dhe kjo ja ka bërë të mundur që jashtë vendit me pas shumë ma shumë përkrahje, pritje, afirmim”.

“Presidentja e Kosovës nuk mundet me paraqitë Kosovën mirë, nëse Kosova nuk është mirë. Mos të presim nga Presidentja me bërë të pa mundurën”.

Me 7 prill të vitit 2011, me 80 vota për, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur ish-Zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjagan, në postin e presidentes.