Çështja Thaçi, Serbia po i rrezikon të arriturat e dialogut

Vendimi i Serbisë për moslejimin e shkuarjes së kryediplomatit kosovar, Hashim Thaçi, në Beograd është kundër marrëveshjes së Brukselit.

Lajme

20/04/2015 19:46

Burime ndërkombëtare të Kosovapress thonë se Serbia është duke i rrezikuar të arriturat e deritashme në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me sjellje të tillë destruktive.

Në përmbajtjen e letrës zyrtare, Serbia kërcënon se në momentin e parë që Hashim Thaçi ka kontakt me policinë e Serbisë ai do të arrestohet.

“Duke marrë në konsideratë sistemin juridik të Republikës së Serbisë dhe faktin se verdikti i z. Thaçi është në fuqi të plotë juridike, detyra ime është që të ju informoj se zoti Thaçi, në përputhje me rrethanat, do të ndalohet në kontaktin e parë me ndonjë autoritet të zbatimit të ligjit të Republikës së Serbisë dhe do ta sjellin para gjykatës kompetente”, thuhet në përgjigjen e Serbisë.

Zëvendëskryeministri Thaçi, sipas oficerit ndërlidhës të Serbisë, është dënuar në mungesë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë dhe është dënuar me 10 vjet burgim, më 11 korrik 1997. Ky vendim, sipas tij, është konfirmuar edhe nga Gjykata e Lartë e Serbisë më 12 mars 1999.