Çështja Mustafa: Caktohet një ekspert financiar lidhur me dëmet e viktimave

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se në gjykimin ndaj Salih Mustafës është caktuar një ekspert financiar lidhur me dëmet e viktimave.

Lajme

02/06/2022 12:05

DHSK njofton se më 1 qershor 2022, Trupi Gjykues i miratoi kërkesën e avokatit të viktimave dhe caktoi Stefan Lerz nga Nederlands Rekencentrum Letselschade me mandat për të llogaritur dëmet materiale dhe humbjet ekonomike të viktimave të drejtpërdrejta të pretenduara në çështjen Mustafa.

“Lerz do të dorëzojë raportin e tij deri më 23 qershor 2022”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020. Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.