Çështja “Cakaj” shkakton reagime të mëdha në Kosovë

Mosdekretimi i të propozuarit për ministër të Punëve të Jashtme në qeverinë “Rama”, Gent Cakaj, nga presidenti Ilir Meta, ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.

Lajme

11/01/2019 20:16

Politikanët dhe analistët kanë shtruar pyetjen nëse është kushtetues ky veprim i presidentit shqiptar, duke i dhënë të drejtë kryeministrit për përzgjedhjen e individëve që do t’i ketë pranë.

Në të gjithë konfliktin mes presidentit dhe kryeministrit shqiptar, ata mendojnë se Gent Cakaj është viktimë e politikave të mëdha shqiptare.

Deputeti kosovar, Milaim Zeka akuzoi të gjitha qeveritë shqiptare se kanë lejuar ndikimin e Serbisë në çështje të brendshme të shqiptarëve.

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar 4 ministrat e rinj të propozuar nga kryeministri Edi Rama, duke përfshirë edhe shtetasen tjetër nga Kosova, Besa Shahini. I vetmi kandidat për ministër që nuk ka marrë ende pëlqimin e presidentit është Genti Cakaj.

Kreu i shtetit shqiptar nuk ka dekretuar ende as shkarkimin e Ditmir Bushatit nga posti i ministrit të Jashtëm.