Çështja Brexit dhe paktet e mundshme elektorale
Krahu i ashpër i atyre që mbështesin shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, po i bën jehonë Presidentit Donald Trump dhe po i kërkon kryeministrit të ri konservator të Britanisë, Boris Johnson, të krijojë një pakt elektoral me euroskeptikun e flaktë Nigel Farage që është edhe miku i udhëheqësit amerikan.
Bota
Ata thonë se nëse Johnson nuk e bën këtë, çështja Brexit mund të humbasë dhe kjo mund të bëjë që partitë opozitare që janë pro Bashkimit Evropian të dalin më të forta nga zgjedhjet e parakohshme për të cilat shumë ligjvënës mendojnë se Johnson nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse t’i kërkojë në tetor. Në fakt, duket se ai po planifikon në mënyrë aktive mbajtjen e zgjedhjeve të tilla.
Kryeministri Johnson ka hedhur poshtë thirrjet për nënshkrimin e një pakti elektoral midis Partisë së tij Konservatore, e cila aktualisht ka një shumicë pune me një vend të vetëm në parlament, dhe Partisë së zotit Farage, duke thënë se ai nuk beson në marrëveshje të tilla zgjedhore.
Ndihmësit e zotit Johnson thonë se plani është që të kërkojë zgjedhje të parakohshme, duke mobilizuar “popullin kundrejt parlamentit”, në të cilat kryeministri i ri ta nxjerrë veten si i vetmi njeri që mund ta nxjerrë Britaninë nga BE-ja dhe të verë në vend vullnetin e votuesve siç u shprehet në referendumin e vitit 2016.
Në këtë skenar, Johnson, i cili ka premtuar ta nxjerrë Britaninë nga BE-ja deri më 31 tetor – një afat për të cilin ishte rënë dakord në fillim të këtij viti me Brukselin, me ose pa një marrëveshje, – do ta paraqiste veten si një politikan që u pengua nga një parlament pro-BE-së.
Shefat e partisë pro Brexit tallen me idenë se Konservatorët, të mbiquajtur Tories, mund të fitojnë një shumicë në Dhomën e Komuneve pa ndihmën e tyre, dhe po paralajmërojnë se Kryemimnistri Johnson rrezikon ta ndajë votën pro-Brexit dhe, me bashkë me të, krejt përpjekjen për të realizuar shkëputjen nga BE-ja, siç u vendos me referendum tre vjet më parë.
Kryeministrja e mëparshme, Theresa May dështoi tre herë për ta miratuar marrëveshjen në parlamentin e ndarë në mënyrë të pashpresë midis atyre që kërkojnë largimin nga BE-ja eurofilëve.
Sipas një studimi të kohëve të fundit, 30 për qind e elektoratit miratojnë linjën e ashpër të kryeministrit Johnson ndaj BE-së – një shifër shumë më e lartë se zonja May arriti ndonjëherë në mandatin e saj të shkurtër, i cili përfundoi këtë vit.
Presidenti Trump – duke thyer normat tradicionale diplomatike – po i nxit Johnson-in dhe Farage-in të punojnë së bashku. Duke folur në një tubim muajin e kaluar, ai tha se dyshja mund të arrijë së bashku “gjëra të jashtëzakonshme”. /VoA