Certifikohet kryetari i Graçanicës, s’është më deputet i Serbisë
Vladeta Kostiq, nga radhët e Listës Serbe, edhe zyrtarisht është shpallur kryetar i Komunës së Gracaniçës, pasi që Komisioni i Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditura rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve.
Lajme
Kryetarja e KQZ-së, Valdeta Daka, në një konferencë për media, kërkoi nga anëtarët e saj që ta miratojnë rezultatin përfundimtar si të certifikuar. Sipas saj, një gjë e tillë është e mundur, pasi që janë marr dokumentet e kërkuara nga Kostiç, dhe po ashtu sipas saj nuk ka ankesa që do ta ndryshonin rezultatin përfundimtar.
“ Konsiderojmë që me këtë rezultatet përfundimtare nga QNR janë certifikuar”, tha Daka.
Një gjë të tillë ata është dashur ta bëjnë dje, por për shkak se ata nuk kishin një vërtetim nëse Kostiq është ende deputet i Republikës së Serbisë apo jo, ata është dashur që ta shtyjnë certifikimin deri në ditën e sotme, kur edhe kanë marrë shkresa të vërtetuara nga kryetari i tanishëm i Gracaniçës, ku thuhet se ai tani më ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit atje.
Valdete Daka, tha se ata tani më e kanë vërtetimin nga Asambleja e Republikës së Serbisë, ku vërtetohet se Kostiq, nuk është më deputet i kësaj republike.
“Kemi një vërtetim nga Asambleja e Republikës së Serbisë me datën 23 janar 2015, ku vërtetohet se Vladeta Kostiq mbajti postin e deputetit të përbërjes së dhjetë të Kuvendit të Republikës së Serbisë duke filluar nga 16 prill të 2014 deri me 26 shtator 2014, kur mandati i deputetit ka pushuar në ditën e paraqitjes së dorëheqjes së ti. Gjatë kësaj periudhe i riemëruari ishte deputet me punë të përhershme në asamblenë kombëtare dhe pason nënshkrimi i ndihmës-sekretarit të përgjithshëm Mirana Radakoviç. Këto janë shkresat të cilat janë dërguar nga Vladeta Kostiq”, tha Daka.
Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi, tha se shkresat e dërguara nga ky kandidat dhe subjekti i tij politik, kanë qenë tentim për mashtrim ashtu siç ai ka bërë përpjekje për mashtrim në aspektin e dhënies së dorëheqjes.
“Ne e kuptuam se vetëm dje personi në fjalë ka ofruar dorëheqjen, gjë që ne e kemi certifikuar dhe se në kohën e certifikimit ka qenë obligim ofrimi i dorëheqjes. Për mua personalisht nuk mjaftojnë për ta certifikuar si kryetar, në fakt zotëria sikurse edhe subjekti i tij vazhdon të jetë një zgjatim i drejtpërdrejt i Serbisë duke e mohuar në tersi shtetin dhe republikën dhe duke e sabotuar në çdo aspekt. Natyrisht që ne do të duhej që të shfrytëzonim mundësit dhe kompetencat tona që ta ndalojmë një gjë të tillë aq sa mundemi”, tha Rrustemi.
E anëtari i PDK-së nga ky komision, Betim Gjoshi, ka thënë se edhe për këtë rast kanë vepruar njësoj siç kanë vepruar për kandidatët e tjerë të komunave tjera të Kosovës.
“Është mirë që secili që garon është mirë që të kuptoj se duhet të respektoj ligjin dhe rregulloret që i kemi në fuqi dhe kuptohet edhe bazën kushtetuese. Ne njëjtë në aspektin ligjor kemi vepruar edhe kur është në pyetje për kandidatët e komunave tjera të Kosovës, të cilët kanë qenë deputet të Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe nuk i kemi certifikuar deri sa kanë dhënë dorëheqje nga organet e zgjedhura. Pra ka qenë krejtësisht një çështje procedurale, e panevojshme me mënyrën qysh është politizuar dhe vetëm e bënë edhe më të argumentueshme dyshimet tona se njëri nga kandidatët ka dashur ta vë në lajthitje institucionin”, tha Gjoshi.
Zgjedhjet në Graçanicë janë mbajtur të dielën me 18 janar, ku Vlladeta Kostiq ka marrë shumicën e votave për kryetar komune. Për kryetar kishin kandiduar gjithsej katër kandidatë. (Kosovapress)