Çela, Mustafës: Do kalojnë dekada e shekuj pa ndryshim kufiri mes Kosovës e Malit të Zi

Gjeografi Tomor Çela, ka reagar në lidhje me rastin e një vjetorit të ratifikimit të Marrëveshjes  për përcaktimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi.

Lajme

22/03/2019 10:48

Çela i cili njëherit dhe ishte zëdhënës i njërit nga komisionet eksperte për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, ka thënë se deklaratat e Isa Mustafës në facebook, janë një përmbledhje Puro akademike për një ngjarje e cila rëndoi jetën politike dhe shoqërore-ekonomike për 3 vjet me radhë.

”I nderuari Akademik Mustafa, e lexova me kujdes postimin tuaj me rastin e 1-vjetorit nga ratifikimi i Marrëveshjes për kufirin e Republikës së Kosovës me Malin e Zi!

Vërtetë postimi juaj është një përmbledhje PURO akademike e ngjarjeve të cilat e rënduan jetën politike dhe shoqërore-ekonomike për 3 vjet rresht. Këto ngjarje do të mbeten të pashlyeshme në kujtesën e brezave që i përjetuan ato, si një nga anët më të errëta të zhvillimeve tona të përgjithshme.

Në njëvjetorin e ratifikimit të kësaj marrëveshje, desha t’i përgjigjem pyetjes suaj, duke iu siguruar se do të kalojnë dekada e shekuj (sa të ekzistojnë këto dy shtete) dhe nuk do të kemi ndryshim në segmentin e kufirit në mes tyre, pa ndonjë vendim tjetër politik, sepse kufiri ishte shënjuar mbi bazën e ligjshmërisë kushtetuese të viteve 1971/74, për të vazhduar me verifikimin e tij sipas parimeve të Komisionit të Badinterit (pas vitit 1991), Planit gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit (2007), Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008), dhe duke u finalizuar me marrëveshjen e Vjenës (2015).

Me këtë rast dëshiroj të adresoj problematikën dhe përgjegjësinë profesionale dhe politike të institucioneve të vendit:

1. Komisioni aktual për shënjimin e vijës së kufirit mban përgjegjësinë profesionale dhe morale, që ende nuk ka treguar gatishmëri për të hyrë në procesin e korrigjimit të marrëveshjes për kufirin, që nënkupton korrigjimin e segmentit të kufirit në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi! Sepse në fund të këtij procesi, Kosova do të “përfitonte” territor administrativ prej 8200 hektarëve?!; dhe

2. Parlamenti i Republikës së Kosovës mban përgjegjësi politike për autorizimin e korrigjimit të kufirit të Republikës së Kosovës, duke votuar me dy të tretat raportin e “Komisionit BULLIQI”. Kjo për faktin se përmes kësaj është krijuar një precedent i rrezikshëm dhe janë trashëguar disa probleme profesionale, juridike e administrative të cilat do na përcjellin deri në konsolidimin dhe përmbylljen finale të vijës së kufirit të Kosovës!

Shpresoj se një ditë të gjithë do ta kuptojmë se konsolidimi i kufirit shtetëror kërkon punë nga ekspertë me kompetencë, përgjegjshmëri profesionale e morale nga të gjithë dhe mbi të gjitha besueshmëri në punën e institucioneve kompetente!

Asnjëherë nuk duhet të bijmë pre e pseudoekspertëve të cilët në dy dekada mësimdhënie nuk i dhuruan as edhe një dispensë ligjëratash studentëve të tyre, e lere më ndonjë punë të mirëfilltë profesionale-shkencore dhe literaturë akademike”.