Çeku: FAK, rezultat i marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së

Me marrëveshjen për demilitarizimin e UÇK-së, po jetësohet ëndrra për formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës , ka thënë Agim Çeku

Lajme

21/06/2014 17:04

Agim Çeku  ish Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, nënshkrues i marrëveshjes për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se marrëveshja ka qenë një ndër të arriturat e mëdha të asaj kohe për disa arsye.  Ai për KosovaPress, thotë se vizioni që kanë pasur nga ajo kohë për formimin e Ushtrisë së Kosovës po realizohet.

“E para është sepse rezoluta 1244 ka paraparë shpërbërjen e UÇK-së, do të thotë të shpërbëhet në tersi UÇK-ja. Unë mendoj që me negociata të gjata të mundimshme arritëm që të mbijetojmë, që jo ta shpërbëjmë por ta demilitarizojmë UÇK-në, që ajo të mbetet gjallë, por të demilitarizohet dhe të transformohet në TMK dhe në marrëveshja pika 25B parashikonte që në krijohet një ushtri si pjesë e statusit në Kosovë. Dhe, unë mendoj që me TMK-në kemi ruajtur gjallë projektin e të pasurit ushtri dhe tani me krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës kjo marrëveshje veç po realizohet. Ka qenë një e arritur e madhe sepse e kemi ruajtur partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare dhe në këtë proces të ndërtimit edhe të TMK-së edhe të FSK-së e kemi bërë bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare edhe mendoj që vizioni që kemi pasur atëherë, synimi që kemi pasur është realizuar dhe me formimin e FAK-ut po realizohet plotësisht”, tha Çeku.

Mirëpo, themelimi i FAK-ut nuk ishte paraparë në kohë, por vetëm se do të shkonte si proces paralel me shtet-ndërtimin e Kosovës. E, Çeku thotë se formimi i FAK-ut është për një ose dy hapa me shumë se sa Garda Kombëtare e SHBA-së.

“Jo ka qenë si pjesë e procesit të shtet-formimit, dhe ne kemi shkuar një ose dy hapa me larg se sa ajo çka kemi projektuar në vitin 1999. E kemi do të thotë Gardën Kombëtare, plus do t’i kemi edhe Forcat Tokësore dhe forcat tjera, do të thotë kemi shkuar me larg se sa ajo që kemi biseduar në atë kohë”, tha me tej Çeku.

Po ashtu, marrëveshja kishte paraparë edhe sistemimin e ish ushtarëve të UÇK-së, që sipas Çekut në masë të madhe është plotësuar, madje me ligjin për veteranët, edhe ata që kanë mbetur jashtë, do ta kenë mbështetjen e shtetit.

“Po, unë mendoj që tani edhe me nxjerrjen e ligjit për veteranët të gjitha këto kategori, ushtarët e UÇK-së janë sistemuar disa në TMK, disa kanë shkuar në Partinë Demokratike, disa kanë shkuar në Policinë e Kosovës, edhe ata që kanë mbetur jashtë, me ligjin për veteranët edhe ata do ta kenë kujdesin e shtetit sepse askush nuk do të mbetet pa kujdesin e shtetit”, theksoi ai.

Derisa, 15 vite pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Çeku thotë se ka qenë zgjidhja më e mirë që kanë bërë.

“Po ka qenë me e mira, sepse atëherë kemi pasur një dilemë, që mos ta pranojmë rezolutën 1244, apo ta kemi një kompromis dhe ta vazhdojmë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare. Dhe kompromisi ka qenë jo shpërbërja por demilitarizimi, ta kemi një institucion si TMK-ja që gjatë procesit vazhdimisht ta ndërtojmë ushtrinë dhe gjithmonë kemi ndërtuar kuadro, kemi shkolluar kuadro, trajnuar njësi, duke ndërtuar infrastrukturë, pajisje, gjithë këto kanë qenë në proces që tani po kurorëzohet me Forca të Armatosura dhe po del që kemi pasur drejtë dhe kemi vepruar drejt”, shtoi Çeku. Marrëveshja u nënshkrua me 21 qershor 1999, pak ditë pas hyrjes se forcave të NATO-së në Kosovë.

(KosovaPress)