Çeku është më i miri, sipas Çekut

Agim Çeku tha se votuesit s'bën të gabojnë, prandaj duhet ta zgjedhin kandidatin më të mirë - atë. Këtë konstatim e bëri në një takim me Kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë.

Lajme

08/10/2013 16:30

Nëse Agim Çeku zgjidhet Kryetar i Prishtinës, Bashkësia Islame nuk do të përballet me probleme të pronësisë dhe legalizim të xhamive.

Kandidati i PDK’së e bëri këtë premtim sot, gjatë një vizite në Bashkësinë Islame në Prishtinë.

Ai vlerësoi lart rolin e kësaj bashkësie në shoqëri, kur tha se është obligim i saj që t’i tregojë popullit “kah është Kibla”.

“Ju keni probleme me pronësi, legalizim të xhamive. Këto çështje unë do t’i trajtoj me prioritet dhe do t’i qasem këtyre institucioneve që janë me peshë të veçantë. Çdo xhami do ta trajtoj si objekt kulti, e jo si ndërtesë të zakonshme”.

“Si Kryetar i Prishtinës dhe si administratë komunale, do të qëndrojmë pranë jush. Do të kem mirëkuptim për kërkesat e juaja, do të kem mirëkuptim për kërkesën e qytetarëve ndaj jush, dhe do të jemi pranë”.

“Ne shpesh mburremi me tolerancën fetare dhe kjo është një krenari e madhe, një vlerë e madhe. Islami ynë është islam europian dhe ne mburremi me këtë. Duhet ta ruajmë këtë mënyrë të islamit të cilin ne e praktikojmë”.

“Për të mos bërë gabim, duhet zgjedhur njeriun më të mirë – e unë më të mirë se veten nuk e shoh askënd”, ka thënë Çeku.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Bahri Sejdiu, i uroi Agim Çekut fitore dhe njëkohësisht tregoi për problemet e këtij institucioni.

“Disa probleme nuk kanë mundur që të vihen në vija zyrtare dhe të sqarohen, të rregullohet dhe statusi i Bashkësisë Islame edhe në nivel qendror. Ne të gjitha këto i kemi pasur kërkesa të përsëritura në nivelin lokal, pra në Komunën e Prishtinës”.

“Ne nuk kemi mundur që t’i legalizojmë ato që neve na takojnë me ligj, na takojnë me të drejta religjioze, por mendoj se kur të kemi vullnet të mirë, ligjet ekzistojnë dhe të gjitha rregulloret që mund të konfirmojnë këto dhe të jenë të ligjshme për secilën pronë të Bashkësisë Islame”.