Çekia: Problemi i CEZ nuk është kusht për statusin e kandidatit

Tomas Prouza, sekretari i Shtetit për Çështjet e Bashkimit Europian në Republikën Çeke, në një intervistë telefonike për Top Channel hodhi poshtë të gjitha shkrimet në media, duke i cilësuar ato spekulime në lidhje me statusin e Shqipërisë.

Lajme

10/06/2014 23:10

Sipas tij, Republika Çeke nuk do bazohet në një çështje të vetme tregtare për statusin e Shqipërisë, por do shohë progresin e bërë nga Shqipëria.

“Kjo nuk është aspak e vërtetë, është një spekulim i medies dhe realisht mbeta i habitur kur pash këto spekulime, sepse Qeveria jonë ende nuk e ka diskutuar çështjen e statusit kandidat të Shqipërisë, kjo do të diskutohet javën tjetër. Pra, nuk ka pasur asnjë diskutim të këtij lloji”, sqaroi Prouza.

Për sa i përket negociatave mes Shqipërisë dhe kompanisë CEZ, ai theksoi edhe njëherë se ky nuk është kusht i Pragës për statusin e Shqipërisë.

“Nëse çështja do të ishte zgjidhur muaj më parë, do të ishte në interesin e gjithë secilit, por ky gjithsesi është një vëzhgim i përgjithshëm, nuk është një kusht që ne po e vlerësojmë për çështjen e statusit kandidat. Jemi në dijeni që ka bisedime mes palëve, por këto bisedime janë mes qeverisë shqiptare dhe CEZ-it dhe jo mes qeverisë shqiptare e qeverisë çeke”, deklaroi Prouza.