Çekia mund ta bllokojë statusin e Shqipërisë në BE

Për shkak të konfliktit të vjetër me kompaninë CEZ Shpërndarje, Çekia është e gatshme të bllokojë dhënien e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në BE.

Lajme

09/06/2014 22:26

Sipas agjencia çeke të lajmeve, kështu mendojnë burime brenda zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian.

“Republika Çeke është e përgatitur për të bllokuar dhënien e statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë, për shkak të mosmarrëveshjeve që shteti shqiptar ka me kompaninë energjetike CEZ Shpërndarje. Kështu kanë deklaruar burime të nivelit të lartë të BE-së, për Ceskenoviny”.

Vitin e kaluar, Shqipëria i hoqi CEZ-it licencën. Prandaj, kompania kërkoi një arbitrazh ndërkombëtar me Tiranën. Në fillim të qershorit, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe një samit do të vendosë për të në fund të qershorit.

Sipas burimeve të agjencisë çeke të lajmeve, Praga ka kritikuar faktin se bisedimet ndërmjet Shqipërisë dhe CEZ-it në Vjenë nuk kanë çuar në një rrugëzgjidhje. Praga i dërgoi një sinjal Shqipërisë pak kohë më parë, duke treguar se kjo çështje mund të ndikojë në miratimin e statusit të saj, që duhet ta miratojnë të 28 shtetet anëtare të BE-së.

Në janar të 2013-ës, Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri revokoi licencën e kompanisë së shpërndarjes së energjisë, CEZ dhe shteti vendosi një administrator në krye të saj, si rezultat i të cilit CEZ-i e humbi kontrollin mbi shpërndarjen e energjisë.

Ndaj dhe CEZ-i nisi procedurat e arbitrazhit ndërkombëtar kundër Shqipërisë në bazë të Traktatit të Kartës së Energjisë, të cilin e kanë ratifikuar si Republika Çeke ashtu edhe Shqipëria, traktat që përcakton rregullat për mbrojtjen e investimeve ndërkombëtare në industrinë e energjisë.

CEZ-i tashmë kërkon nga Shqipëria një dëmshpërblim prej 200 milionë eurosh për të mbrojtur investimet e bëra, njoftojnë mediet shqiptare.