Çdo gjë ka përfunduar me marrëveshjen LDK-AAK-Nisma, s’ka kthim prapa

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët LDK-së, Besa Gaxherri, mendon se me arritjen e marrëveshjes ndërmjet Isa Mustafës, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt është krijuar një situatë e re, kur dihet qartë se kush ka të drejtën për t’i formuar institucionet e reja.

Lajme

18/08/2014 10:21

Në një intervistë për “Epokën e re”, ajo i ka bërë thirrje PDK-së të reflektojë karshi kësaj situate që është krijuar dhe të dalë në opozitë.

Gaxherri ka thënë se edhe 100 palë zgjedhje nëse mbahen, rezultati do të jetë i njëjtë.

“Nuk kemi nevojë të humbim më shumë kohë duke pasur parasysh se kemi shumë probleme për t’i zgjidhur. Në këtë rast partitë politike, shumica dërrmuese prej tyre, më përjashtim të njërës, kanë bërë marrëveshje politike, e cila është shumë transparente dhe në harmoni me procedurat administrative dhe kushtetuese. Prandaj nuk ka kthim prapa”, ka thënë Gaxherri.

Ajo ka bërë të ditur se çdo gjë ka përfunduar ditën kur është arritur marrëveshja LDK-AAK-Nisma.

Gaxherri, ka thënë se Gjykata Kushtetuese duhet sa më parë të dalë me vendim në mënyrë që Kosova të bëhet me institucione të reja.

“Çështja është shumë e thjeshtë. Shumica në demokraci merr vendim dhe nuk mund të bëhet ndryshe. Gjykata Kushtetuese ka Kushtetutën dhe ka shumë modele të njëjta në shtetet e rajonit dhe në Evropë që ka ndodhur e njëjta gjë, sikurse që është sot në Kosovë. Prandaj kisha pasur dëshirë të thirret në këta shembuj, në ligjet dhe Kushtetutën e vendit dhe sa më shpejt të japë një mendim dhe disa sqarime në mënyrë që pastaj të ecim tutje dhe ta formojmë qeverinë”, ka thënë Gaxherri.