Çdo ditë e humbur, thellim i krizës
Arbër Vllahiu, këshilltar i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se çdo ditë e humbur në krijimin e institucioneve, ka nënkuptuar humbjen e kredibilitetit të shtetit në skenën ndërkombëtare, rrezikim të proceseve të brendshme në vend dhe rënie të mirëqenies së qytetarëve të vendit.

Lajme
Sipas tij, secila javë, që prej 17 korrikut, kur është mbajtur seanca konstituive e Kuvendit, ka qenë javë vendimtare.
“Çdo ditë e humbur nënkupton edhe rrezikim të mëtejmë të thellimit të krizës politike, institucionale, buxhetore dhe financiare. Takimi i përbashkët i liderëve, që do të pajtoheshin për rrugën përpara, do të ndihmonte përfundimisht nxjerrjen e vendit nga kjo situatë e pamundshme”, ka theksuar Vllahiu në një prononcim për Telegrafi.com.
Ndërsa, i pyetur për mundësinë, e që disa parti politike e kanë paralajmëruar, që zgjidhjen e ngërçit ta kërkojnë edhe nëpërmjet rrugës (protestave), Vllahiu ka thënë se “nuk i komentojmë qëndrimet e partive politike”.
Ndryshe, kjo javë, sipas njohësve të rrethanave politike në vend dhe disa eksponentëve të politikës, do të jetë vendimtare në zgjidhjes e krizës politike në vend, e cila tash ka hyrë në muajin e pestë të saj.