Castro: SHBA-të i kanë borxh Kubës miliona dollarë për shkak të sanksioneve

Ish-lideri kuban Fidel Castro e shënoi sot ditëlindjen e vet të 89-të me një kolumne në gazetë ku ka përsëritur se SHBA-të i kanë borxh Kubës miliona dollarë për shkak të dëmeve të shkaktuara nga sanksionet disa dekadëshe.

Bota

13/08/2015 21:54

Teksti u botua një ditë para ngjarjes historike në marrëdhëniet amerikano-kubane – ngritjes së flamurit të SHBA-ve në ambasadën e rinovuar amerikane në Havanë, ku do të marrë pjesë sekretari i shtetit John Kerry. Ndërkohë që, siç përkujtojnë agjencitë, embargoja ekonomike është akoma në fuqi.

Castro në shkrimin e tij nuk përmend përtëritjen e marrëdhënieve, por ka bërë disa kritika në llogari të SHBA-ve.

Ai ka thënë se Uashingtoni i ka borxh Kubës dëmshpërblime “që kapin shumën e më shumë milionë dollarëve”, ndërsa sërish ka dënuar vendimin e SHBA-ve që të pushojnë së këmbyeri dollarët për flori në vitin 1971 dhe ka cekur se ky veprim ka bërë që dollari të bëhet njësi matëse për vlerën e valutave.

Fidel Castro erdhi në pushtet me anë të revolucionit në vitin 1959, ndërsa marrëdhëniet me SHBA-të u ndërprenë në vitin 1961.

Pas problemeve shëndetësore që kishte në vitin 2006, atë në krye të shtetit e trashëgoi i vëllai, Raouli, i cili është më i merituari për përtëritjen e marrëdhënieve diplomatike me Uashingtonin pas ndërprerjes që zgjati 54 vjet.