Casillas: Ta fitojmë Championsin për tifozë

Iker Casillas shpreson që Real Madridi ta fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon për tifozët. Portieri spanjoll është i vendosur më shumë se kurrë që t’u japë fund vuajtjeve të tifozëve madrilenë.

Sport

21/05/2014 14:15

Iker Casillas është i vendosur ta fitojë Ligën e Kampionëve të shtunën ndaj Atletico Madridit, për t’i dhënë fund vuajtjes së tifozëve.

Los Blancos po e kërkojnë titullin e dhjetë evropian që nga viti 2002, kur e kishin mposhtur Bayer Leverkusenin.

Tash, madrilenët janë më të vendosur se kurrë për ta çuar trofeun në shtëpi, pas finales së Lisbonës.

“Dua ta fitojmë titullin për tifozët e Realit, të cilët kanë vuajtur shumë viteve të fundit. Shpresoj se do ta bëjmë këtë për ta”, deklaroi Casillas për uebfaqen zyrtare të klubit.

“Por, nuk do të jetë aspak ndeshje e lehtë. Do të përballemi me një kundërshtar mjaft të fuqishëm. Dua që tifozët tanë të ndihen krenarë me ekipin”, vazhdoi ai.

“Duam të dhurojmë spektakël, ta fitojmë La Deciman dhe të gjithë të festojmë së bashku. Shpresoj që ta ngre lart trofeun. Do të ishte një moment i mrekullueshëm për të gjithë, një përfundim fantastik i sezonit”, thotë Casillas.

“Kjo do të thoshte se do t’i fitonim dy tituj këtë vit, që është mjaft e vështirë për ta bërë. Ne po përgatitemi për këtë lojë me dëshirë, vendosmëri dhe respekt për kundërshtarin tonë”, përfundoi Casillas.

Reali e fitoi Copa del Rey këtë sezon, duke e mposhtur në finale Barcelonën, ndërsa e përfundoi sezonin në La Liga në pozitën e tretë, prapa Atletico Madrid e Barcelona.