Casillas heshti kritikët

Pas fillimit të sezonit mes shumë dyshimesh, Iker Casillas do ta përfundojë atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Portieri i Real Madridit ka heshtur kritikët, me paraqitje fantastike.

Sport

30/04/2014 15:15

Portieri i Real Madridit, Iker Casillas e nisi sezonin me shumë dyshime rreth statusit në ekip.

Kapiteni i Los Blancos përfundoi në bankën e rezervistëve për ndeshjet në La Ligë, pasi Carlo Ancelotti vazhdoi njësoj sikurse paraardhësi i tij Jose Mourinho, duke e preferuar Diego Lopezin si titullar në Kampionatin spanjoll.

Kurse, Casillas u aktivizua nga fillimi në ballafaqimet në Copa del Rey dhe Ligën e Kampionëve.

Derisa skuadra nuk është në pozitë të volitshme për të festuar triumfin në La Ligë, me Lopezin në portë, Reali ka fituar Copa del Reyn duke mposhtur në finale Barcelonën me rezultat 2:1, që ishte goli i vetëm i pranuar nga Casillas gjatë garës.

Kurse, reprezentuesi spanjoll ishte në portë edhe në rrugëtimin e suksesshëm të Los Blancos drejt finales në Ligën e Kampionëve.

Casillas nuk pranoi gol në dy duelet gjysmëfinale ndaj Bayern Munich, duke heshtur të gjithë ata që dyshonin në kualitetet e tij.