CAS: Tri pikë për Shqipërinë

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, CAS, me qendër në Lozanë të Zvicrës, më së fundi sot e dha verdiktin e saj, duke i dhënë 3 pikët e mohuara në tavolinë Kombëtares së Shqipërisë.

Sport

10/07/2015 11:03

E treta e vërteta! Vonoi, por nuk mungoi, drejtësia u vu në vend!

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, CAS, me qendër në Lozanë të Zvicrës, më së fundi sot e dha verdiktin e saj, duke i dhënë 3 pikët e mohuara në tavolinë Kombëtares së Shqipërisë për ndeshjen dhunshme Serbi-Shqipëri, zhvilluar më 14 tetor të vitit të kaluar.

Një vendim ky i pritur prej kohësh, që natyrisht i entuziazmon të gjithë shqiptarët anekënd globit. Drejtësia e mohuar nga komisionet disiplinore të UEFA-s për ngjarje e dhunshme të Beogradit, më së fundi u vu në vend, shkruan “Sportal.a”.

Dhënia e 3 pikëve në tavolinë nga CAS, pas akteve të dhunshme dhe raciste të tifozëve serbë që provokuan ndërprerjen e ndeshjes Serbi-Shqiperi në Beograd, tashmë i ka ngjitur kuqezinjtë e Shqipërisë në vendin e dytë në Grupin I me 10 pikët e grumbulluara, po aq sa edhe Danimarka. Tani ëndrra e të gjithë shqiptarëve për të shkuar në finalet e Francës bëhet akoma më reale dhe të prekshme.

Pas këtij vendimi, futbollistët tanë kuqezinj të Kombëtares do të shkojnë me tjetër moral dhe përgjegjësi më 4 shtator në Kopenhagen, në sfidën e tyre të radhës ndaj kombëtares daneze, një ndeshje e cila do të përcaktojë shumë fatet e Shqipërisë, që ndjek ëndërrën për të qenë në Francë.

Shqiptarët besojnë tek kuqezinjtë e tyre për shpirtin e lartë të sakrificës, për trimërinë, vetmohimin e tyre për të mos u përkulur përballë kujtdo kundërshtari, çka e kanë dëshmuar edhe në ngjarjet e Beogradit.

Ata nuk iu trembën shovinizmit dhe racizmit sërb, por iu përgjigjen me dinjitet, si bij të denjë të një populli të hershëm dhe autokton në trojet e veta, të cilin historia-politike e ka nëpërkëmbur ndër shekuj.

Por kohët kanë ndryshuar… Pjesë e këtij ndryshimi janë kuqezinjtë tanë, krenaria e të gjithë shqiptarëve ngado në botë.

Shqipëria është në dyert e Francës… Kuqezinjtë e Kombëtares do të dinë, që edhe në Kopenhagen, t’i bëjnë bashkëkombasit e tyre të thërrasin me forcë dhe krenari: “O sa mirë që jam shqiptar!”