CAS: Ja pse ia kemi dhuruar fitoren Shqipërisë

12:48 | 10 Korrik 2015

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i dha 3 pikë Shqipërisë, duke e hedhur poshtë vendimin e UEFA-s.

Më poshtë keni vendimin e plotë nga CAS.

CAS pjesërisht mbështet apelin e Shqipërisë ndaj vendimeve të Apelit të UEFA-s të marra më 2 dhjetor të vitit 2014, në të cilin është konfirmuar vendimi nga Komisionit Disiplinor i UEFA-s i marrë paraprakisht.

Vendimi kundër Shqipërisë nga UEFA ishte bazuar në faktin se lojtarët e Shqipërisë refuzuan të kthehen në fushë pas ndërprerjes së ndeshjes në minutën e 41 nga gjyqtari, ku një numër i fishekzjarrëve janë hedhur në fushë nga tifozët e Serbisë, transmeton Lajmi.net vendimin. Gjatë ndërprerjes, disa incidente ndodhën, më saktësisht rreth 15 tifozë u futën në fushë dhe sulmuan dhunshëm lojtarët e Shqipërisë.

Sido që të jetë, paneli i CAS-it nuk gjeti fakte që zbulojnë se FSHF refuzoi të luajë pas një urdhëri të prerë të gjyqtarit. Paneli i CAS-it nuk ka arritur në një konstatim që do të ishte i kënaqshëm me faktin se gjyqtari në mënyrë të qartë, direkte dhe të pakushtë ka kërkuar që lojtarët të kthehen në fushë duke u bazuar në një vendim përfundimtar ku siguria për ta ishte e garantuar.

Paneli konstatoi se ndërprerja e ndeshjes dhe braktisja eventuale e ndeshjes janë shkaktuar nga lëshimet në siguri nga organizatorët dhe aktet e dhunës të ushtruara mbi lojtarët shqiptarë nga ana e tifozëve serbë dhe të paktën një pjesëtar i sigurisë së stadiumit. Kështu që, Paneli konsideron se Federata e Futbollit e Serbisë (FAS) dhe jo FSHF duhet të konsiderohet si përgjegjëse për ndeshjen që nuk u luajt në mënyrë të plotë, në shkelje të nenit 27,01 të Rregullores së Kampionatit Evropian të Futbollit UEFA 2014-2016. Duke u bazuar në këtë konstatim, PANELI I CAS VENDOS SE KJO NDESHJE KA PËRFUNDUAR ME REZULTAT 3-0 NË TË MIRË TË SHQIPËRISË.

CAS gjithashtu ka gjetur se, në përputhje me vendimin e UEFA-s, Shqipëria është përgjegjëse për dronin që operoi gjatë ndeshjes, me simbole nacionale e patriotike të Shqipërisë, andaj konfirmon dënimin prej 100,000 eurosh për FSHF-në.

Për më tepër, në lidhje me ankesën e Federatës Serbe, CAS e hedh poshtë ankesën dhe e konfirmon vendimin e UEFA-s. Prandaj sanksionet e mëparshme konfirmohen si vijon – Serbisë i zbriten 3 pikë nga ndeshjet e deritanishme të Kampionatit Evropian, Serbia urdhërohet të luajë 2 ndeshje pa praninë e tifozëve dhe Serbia duhet të paguajë 100,000 euro dënim. (Lajmi.net)