CAS, çfarë është kjo?

13:39 | 9 Korrik 2015

CAS e ka shtyrë tri herë vendimin për ndeshjen e ndërprerë në Beograd mes Serbisë dhe Shqipërisë. Por, pse ndodhi kjo?

Është shtyrë tri herë dhe tashmë do të kemi një vendim. Pritet që gjykata sportive e CAS-it ta mbyllë çështjen për ngjarjet në Beograd, në ndeshjen Serbi-Shqipëri, shkruan “Panorama Sport”.

Pas të gjitha shkallëve që ka kaluar kjo çështje, është faza e fundit nga e cila do të mësohet se cili do të jetë drejtimi që do të marrin skuadrat e Grupit I. Është një ngjarje që ka shumë rëndësi, sidomos për Shqipërinë. Së pari janë shpenzuar të gjitha faturat e mundshme shumë të kushtueshme nga FSHF, që kjo ngjarje të ndiqet deri në fund.

Së dyti, skuadra kombëtare nuk ka pësuar asnjë humbje në fushën e lojës, por e vetmja është nga shkalla e Apelit pranë UEFA-s që na ka mundur 3-0. Ka shpresë, por edhe ndjesi neutrale pranë FSHF-së dhe opinionit sportiv shqiptar. Nën zë dhe në biseda të ndryshme miqësore, në rrethet sportive, çështja diskutohet edhe në një rrafsh të tillë: Pse duhet të zgjatej kaq shumë si çështje, nëse vendimi nuk do të ndryshojë? Një qasje pozitiviste, për këdo që mendon se goditja e Balajt në fushën e lojës me karrige nga huliganët serbë është e dënueshme.

Për këdo që mendon se thirrjet raciste “vritini shqiptarët” nuk duhet të ekzistojnë nëpër stadiume dhe UEFA, që bën thirrje për “fair play”, së pari duhet të ndëshkojë racizmin. Pse mund të fitojë Shqipëria? Kjo është një pyetje që si përgjigje merr disa argumente. Së pari, pala shqiptare u qëndron deklaratave të para të ngjarjes. Së dyti, delegati i ndeshjes kundërshton palën serbe.

Së treti, ka një ndryshim qëndrimi nga ana e Ivanoviç, që na jep disa pikë në favor për këtë çështje. Së katërti, por mund të jetë më e rëndësishmja, presidenti Duka ka deklaruar që për të parën herë është diskutuar për racizëm. Gjë që nuk është bërë në UEFA, në dy shkallët e para. Me çështjen në favor, Shqipëria renditet e treta, por me pikë të barabarta me Danimarkën dhe bëhet e para skuadër më e mirë, mes ekipeve të treta. Rast ideal, për të na dhënë një shtysë për në Francë. Në fund të fundit, është vetëm ajo që meritojmë, nëse u referohemi pamjeve gjatë ndeshjes.