Carvajal lavdëron Zidanen: Ai është i guximshëm që u rikthye në skuadër

Mbrojtësi i Real Madrid, Dani Carvajal, ka dhënë disa komente pozitive për trajnerin e tij, Zinedine Zidane.

Sport

15/04/2019 11:56

Mbrojtësi spanjoll ka thënë se francezi ishte shumë i guximshëm që vendosi të kthehet në ‘Santiago Bernabeu’ në një kohë kaq të vështirë për skuadrën.

Pas triumfit në Ligën e Kampionëve, Zidane ishte larguar nga stoli i ‘Los Blancos’, me skuadrën që pastaj u fut në një krizë të thellë.

Si pasojë e asaj krize, Real Madrid do ta mbyllë këtë sezon pa asnjë trofe të fituar, por me shpresën për përmirësim në edicionin e ardhshëm.

“Ishte gjëja e duhur, në kohën e duhur. Gjëja më e mirë që mund të na ndodhte” ka thënë Carvajal për ‘Marca’, rreth rikthimit të Zidane, transmeton lajmi.net.

“Ne e dimë se nuk luajmë lojën e njëjtë, ai e di se besimi ynë është i ulët dhe ai ka guximin e duhur për këtë punë” ka shtuar tutje mbrojtësi.

“Ai na njeh ne shumë mirë. Ai e njeh skuadrën dhe mendoj se është më i përshtatshmi për këtë situatë” ishin fjalët e spanjollit.

“Ne jemi të bashkuar dhe do të punojmë për të lëvizur përpara. Synojmë të fitojmë ndeshjet e mbetura dhe të kthehemi fuqishëm në sezonin tjetër” ka thënë ndër të tjerash Carvajal.

Testi i radhës për lojtarët e Zinedine Zidane do të jetë ndaj Leganes. Ndeshja luhet të hënën (sot). /Lajmi.net/