Capussela: PDK e LDK forca të shpenzuara politike

Ish-zyrtar i lartë në Zyrën Civile Ndërkombëtare (ICO), Andrea Capussela, ka thënë për dy partitë e ekzekutivit në koalicion PDK-në e LDK-në se janë forca të shpenzuara politike.

Lajme

29/01/2015 21:07

Madje, Capussela në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka thënë se as nuk beson që këto dy parti mund të sjellin ide të mira të qeverisjes në vend, ose edhe mund ta dalin pa ide fare.

“Edhe PDK edhe LDK janë forca të shpenzuara politike. Nuk besoj se kanë ide të mira e ndoshta as ide fare për zhvillimin e Kosovës. Jam befasuar me atë se si është zhvilluar kriza vendore gjashtë muaj. Do të ishte shumë e vështirë që PDK të hiqej nga pushteti. Ishte një rrjetë e njerëzve të PDK-së, do të ishte shumë e vështirë që të ndërroheshin ata njerëz”.

“Do të ishte mirë që Kosova ta kishte një qeveri tjetër. Të gjitha partitë kanë pasur  mundësi që të bëjnë marrëveshje. E vetmja parti që s’i përket këtyre është Vetëvendosje, që është më ndryshe se të tjerat”, tha Kapusella.

Ai tha se partitë, përpos Vetëvendosjes, kanë interesim që at mbajnë një sistem ashtu siç janë, ose me pak ndryshim.

Sipas tij, Lista Serbe duhet të jetë në Qeveri, sikurse pakicat tjera.

“Me Kushtetutë duhet të keni pakicat në qeveri. Lista Serbe besoj se ka nëntë nga dhjetë deputetët. Është e pashmangshme, përveç nëse nuk e merrni atë deputetin e dhjetë”, tha ai.