Capussela në mision prishjen e imazhit të Kosovës, përmes “The Guardian”

Gazeta prestigjioze angleze The Guardian ia ka huqur fort dje në një shkrim për hetimet që po bën EULEX-i në rastin e deklarimeve të Nazim Bllacës. Koha Ditore ka shkruar se Azem Syla është duke u hetuar nga EULEX-i për deklarimet që ka dhënë Bllaca për vrasjet e pasluftes. E duke marrë këto deklarime, dhe nofkën që Azem Syla ka mbajtur në luftë “Daja”, The Guardian bën huqje elementare duke e bërë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, si nip të Azem Sylës. 

Lajme

08/11/2014 18:03

“Misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, nisi një hetim të premten në lidhje me dyshimet për lidhjet mes një vrasësi të paguar nga daja i kryeministrit”, e hap kështu artikulli The Guardian.

Por pse një gazetë prestigjioze si The Guardian bën një gabim të tillë. Në artikull të mbushur plot me agresivitet dhe akuza një prej burimeve kryesore është Andrea Capussela, një italian ish zyrtar i ICO-së në Kosovë.

Capussela tash e sa kohë shkruan dhe prononcohet me ngulm me shumë negativitet për zhvillimet në Kosovë.

Ai shkruan shpesh edhe shkrime në mediat kosovare kundër kryeministrit aktual, Hashim Thaçi.

Në gjysmën e artikullit shumë të dhëna i referohen si deklarata të këtij ish zyrtari të ICO-së.

Capussela disa nga shkrimet e tij i boton edhe në mediat ndërkombëtare. Stili i shkrimit në The Guardian qoftë për nga forma e qoftë për nga përmbajtja duket të jetë shumë i ngjashëm me stilin e të shkruarit të Capusseles, që bën të besosh se ai është shkruar nga vetë dora e tij.

Ish zyrtari i ICO-së, Capussela përveç në këtë artikull, është cituar nga The Guardian edhe herëve të tjera në shkrime të ndryshme për Kosovën. Në çdo shkrim të tij ai lidhë çdo gjë akuzuese dhe inkrimunuese, shpesh pa fakte, me qeverinë aktuale.

Huqja e madhe e tekstit të fundit në The Guardian është sepse edhe titulli dhe i gjithë artikulli ndërtohet mbi lidhjen familjare të supozuar të Thaçit me Sylën, gjë që nuk është e vërtetë. Azem Syla është e vërtetë se nofkën e luftës e ka pasur “Daja”, por ai nuk është daja i kryeministrit Hashim Thaçi.

Nëse artikulli ka huqur në këtë informacion kaq bazik e kaq të thjeshtë për t’u verifikuar, cila do të duhej të ishte vërtetësia e informatave të tjera të dhënë në të? (lajmi.net)