Cana: Realizuam ëndrrën e popullit tonë

Lorik Cana është rikthyer në Francë, aty ku Kombëtarja Shqiptare do të bëjë debutimin historik në një europian. Pas emocioneve me skuadrën e vendit të tij, kapiteni shqiptar përqëndrohet te ekipi i Nantës ku u transferua gjatë kësaj vere.

Sport

15/10/2015 15:06

Në një intervistë të gjatë dhënë për faqen zyrtare të klubit, Cana flet gjatë për suksesin historik të Shqipërisë, shkruan Supersport.al.

“E kam ëndërruar një arritje të tillë që në moshën 13-vjeçare. Më shumë se festa pas kualifikimit më ka lodhur ngarkesa e madhe psikologjike. Kur mbërritëm në atdhe u pritëm nga mijëra njerëz të cilët krijuan një atmosferë të pabesueshme dhe kjo të bën të mendosh se ke arritur diçka të rëndësishme për ta”.

Për Canën, fakti që është kapiten i Shqipërisë përbën edhe një motiv krenarie për të.

“Jam lojtari me më shumë vite në këtë kombëtare. Kanë kaluar 13 vjet që nga debutimi dhe jam shumë krenar që do të përfaqësoj vendim tim si kapiten në një kompeticion të tillë. Kjo ishte ëndrra ime dhe kam luftuar shumë për ta arritur, madje kam punuar shumë që të bind edhe lojtarë të tjerë që luanin jashtë vendit për t’u bashkuar me këtë Kombëtare”.

Në vijim ai bën një analizë të ecurisë së skuadrës gjatë viteve të fundit dhe rritjes së ndjeshme të grupit.

“Që në eliminatoret e Botërorit 2014 zhvilluam ndeshje pozitive por në fazën e kthimit u penalizuam nga mungesa e eksperiencës. Gjithsesi, në ato ndeshje e kuptova se ky grup kishte mundësi të mëdha. Fitorja në Portugali nuk ishte rastësi, ndërsa ndeshja në Serbi tregoi se ishim një skuadër e bashkuar edhe kur nuk luajmë futboll. Nuk duhet të harrojmë edhe mbështetjen që na ka dhënë publiku që simbolizon dëshirën e popullit tonë për të qenë të bashkuar. Ka një ndjenjë bashkimi kombëtar dhe ky është aspekti më i rëndësishëm”.

Cana nuk harron të përmendë edhe arkitektin e këtij grupi të suksesshëm, trajnerin Gianni De Biasi.

“Trajneri solli në skuadër mentalitetin e tij italian dhe punoi shumë bashkë me federatën për të bindur disa lojtarë të bashkoheshin me Shqipërinë, sepse një pjesë e madhe e lojtarëve të Kombëtares kanë edhe pasaportë zvicerane. Ai e bëri këtë skuadër shumë të fortë dhe gjatë gjithë eliminatoreve ka pasur vetëm një objektiv, kualifikimin. Është një njeri i jashtëzakonshëm”.

Për kapitenin, shtysën më të madhe, kësaj skuadre ia dha populli shqiptar.

“Shqipëria numëron rreth 3 milionë banorë por në total në të gjitha trojet ne përfaqësojmë rreth 7 milionë shqiptarë. Kur luajtëm në Danimarkë u mbështetëm nga 10 mijë tifozë. Nuk pati asnjë incident dhe kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Jemi të lumtur që kemi kontribuar për imazhin e Shqipërisë. Ky sukses tregon se kur jemi të bashkuar mund të arrijmë t’i dhurojmë krenari popullit tonë. Shqipëria është ende një vend në tranzicion, prandaj e ritheksoj që jemi të lumtur për arritjen tonë”.

Në fund kapiteni flet edhe për ndalesën e Kombëtares Shqiptare në Francë 2016.

“Nuk do të shkojmë për turizëm në Francë sepse një sukses gjeneron një tjetër sukses. Njerëzit presin gjëra të mëdha nga ne dhe do të luftojmë për të kaluar grupin”.