Cana: Franca e Italia, teste prestigjioze
Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana thotë se dy ndeshjet e radhës miqësore kundër Francës dhe Italisë do të jenë teste prestigjioze për ekipin kuqezi.
Sport
Kapiteni Lorik Cana është i gatshëm për dy ballafaqimet e ardhshme të Shqipërisë, në ndeshjet miqësore kundër Francës dhe Italisë më 14 përkatësisht 18 nëntor.
“Nuk jam më i vjetri në moshë, jam vetëm lojtari me më së shumti paraqitje. Nga viti 2003 kam zhvilluar 79 ndeshje me Shqipërinë, ndërsa me Francën do ta marr primatin absolut”, deklaroi Cana.
“Natyrisht, unë mundohem që eksperiencën time ta sjell tek të rinjtë, dua t’i ndihmoj ata. Franca mbetet një Kombëtare e fortë, është duke kaluar një periudhë të mirë dhe mendoj se do të jetë ndër favoritet e Evropianit”, shtoi futbollisti kosovar.
“Ne, deri pak kohë më parë, ishim mësuar të luanim miqësore me kundërshtarë të nivelit më të ulët. Pas Francës, do të përballemi me Italinë, do të jenë dy teste mjaft prestigjioze. Tash jemi rritur, kjo Kombëtare ka bërë përparime të dukshme”, përfundoi Cana.