Cana e pranon se ka gabuar, por jo te kartoni i kuq

Lorik Cana e ka pranuar se ka gabuar ndaj Zvicrës, por vetëm në rastin e kartonit të parë të verdhë.

Sport

13/06/2016 16:18

Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana pranon se ka gabuar të shtunën ndaj helvetëve, por jo në rastin e kartonit të kuq.

“Në atë moment nuk e mendon fare humbjen e ndeshjes së radhës, por mendon a ia vlen t’i lësh të tjerët me një lojtar më pak dhe të mos rrezikoja të lija kundërshtarin ta merrte topin i vetëm. Me trajnerin dhe skuadrën, ‘mea culpa’ më e madhe ishte në lidhje me ndërhyrjen e gabuar të parë, kur u ndëshkova me të verdhë”, tha Lorik Cana, transmeton Top Channel.

Sfida e radhës ndaj Francës do të luhet në “Stade Velodrome” të Marsejës, qyteti që gjatë fundjavës, për shkak të sherreve masive mes anglezëve dhe rusëve u shndërrua në arenë gladiatorësh. Por kapiteni ynë, i cili e njeh mirë Marsejën, i lë tifozët kuqezi jashtë listës së problematikëve.

“Është një qytet mikpritës. Gjithmonë kur ka pasur ndeshje të mëdha, aty nuk ka pasur probleme të mëdha. Ndërsa ne kemi tifozë të mrekullueshëm, që jo vetëm vijnë në numër të konsiderueshëm të përfaqësojnë vendin e tyre dhe identitetin tonë, përfaqësojnë edhe veten e tyre. Ata e përfaqësojnë kulturën tonë në mënyrë të jashtëzakonshme”, deklaroi më tej kapiteni Cana.

32-vjeçari nga Prishtina tregon se, pavarësisht rezultateve, Shqipëria vetëm do të përfitojë nga ky Europian.

“Ekipi nuk ka asgjë për të humbur, por ka gjithçka për të fituar. U kam thënë edhe shokëve të mi përpara ndeshjes me Zvicrën, pavarësisht se çfarë do të ndodhë gjatë 3 ndeshjeve, me rëndësi është që të ruajmë mënyrën tonë të lojës dhe, mos harroni, deri në minutë të fundit të ndeshjes së fundit mund të jemi në garë për kualifikimin. Këtë duhet të mos e heqim nga mendja”, përfundoi Cana intervistën e tij.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.