Cameron i thotë Isa Mustafës: Përqendrohu në çështjet e sundimit të ligjit

David Cameron kryeministër i Britanisë së Madhe ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa, që të ketë përqendrim të veçantë në sundimin e ligjit, llogaridhënie dhe transparencë.

Lajme

14/01/2015 15:31

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i ka dërguar një telegram urimi Isa Mustafës për emërimin e tij në postin e kryeministrit të vendit.

Në telegramin e Cameron, thuhet se mbështetja e Britanisë së Madhe për Kosovën nuk do të mungojë në procesin e reformave të brendshme për Kosovën.

Cameron i kërkon Mustafës, që të përqendrohet në çështjen e sundimit të ligjit, përfshi luftën kundër korrupsionit, dhe mbështetjes për institucionet publike.

Telegrami urimi  i Cameron, dërguar Isa Mustafës:

Ju përgëzoj në emërimin tuaj në pozitën e Kryeministrit të Kosovës. Jam krenar me lidhjet e fuqishme ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës dhe mirëpres bashkëpunimin me juve.

Keni marrë detyrën në një kohë kyçe për zhvillimin e Kosovës dhe ju me koalicionin e juaj qeverisës keni mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar në shtyrjen përpara të reformave të nevojshme për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe rritur mundësitë për popullin e juaj. Transparenca dhe llogaridhënia do të jenë shtylla kryesore të këtij zhvillimi, andaj ju inkurajoj që të përqendroheni në çështjet e sundimit të ligjit, përfshi luftën kundër korrupsionit, dhe mbështetjes për institucionet publike.

Siç e dini, Mbretëria e Bashkuar është mbështetës i kamotshëm i pavarësisë, integritetit territorial dhe aspiratave euroatlantike të Kosovës. Përparimi dhe stabiliteti në Ballkan mbesin të jenë të rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar.Natyrisht, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të mbetet prioritet dhe njëkohësisht ju ftoj që të siguroheni që Kosova të vazhdoj të evoluoj si shtet në të cilin plotësisht respektohen të drejtat e të gjitha komuniteteve.

David Cameron

Kryeministër