Cameron: Evropa dhe Perëndimi të ashpërojnë qasjen ndaj Rusisë

Kryeministri britanik, Davi Cameron deklaroi sot se ekziston mundësia e futjes së sanksioneve të reja ndaj Rusisë për arsye tëp rrëzimit të aeroplanit të udhëtarëve të Malajzisë në lindje të Ukrainës. 

Bota

20/07/2014 11:23

Cameron shtoi se Perëndimi duhet ta ndryshojë me themel qasjen e ndaj Rusisë, nëse Moska edhe më tutje i përmbahet kursit të saj të deritashëm përkitazi me Ukrainën.

“Rusia mund ta shfrytëzojë momentin për të dalë nga kjo krizë e tmerrshme dhe e rrezikshme. Shpresoj që ajo ta bëjë këtë. Por, nëse kjo nuk ndodh, ne duhet t’i përgjigjemi fuqishëm”, ka shkruar Cameron në gazetën Sunday Times.

“Duhet që këtë moment të zemërimit ta shndërrojmë në moment të aksionit. Aksionit për zbulimin e atyre që kanë kryer këtë krim dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë. Por, kjo është shumë më shumë sesa vetëm drejtësia. Nëse presidenti rus Putin nuk e ndryshon qasjen ndaj Ukrainës, atëherë Evropa dhe perëndimi duhet që me themel të ndërrojnë qasjen e tyre ndaj Rusisë”, thekson kryeministri britanik.

“Nuk bëhet fjalë për aksion ushtarak, por koha është që të përdorim fuqinë, ndikimin dhe resurset tona”, shton ai.  

Cameron vlerësoi se shumë vende evropiane kanë qenë tepër kohë të gjatë të përmbajtura kur është dashur të ballafaqohen me pasojat e asaj që po ngjet në Ukrainën lindore, transmeton agjencia e lajmeve AFP.