Caktojnë vendin për t’u rrahur ‘fer’, arrestohen të rinjtë shqiptarë dhe serbë

Një komunikim në rrjetin social Facebook në mes të rinjve shqiptarë dhe serbë, ku ishin pajtuar për t’u rrahur tek ura kryesore e Ibrit në Mitrovicë, ka rezultuar me arrestimin e gjashtë personave nga ana e Policisë së Kosovës, që ka ndodhur të dielën në mesditë.

Lajme

20/04/2015 14:31

Qytetarët të cilët nuk kanë dashur të prononcohen para kamerës, kanë lavdëruar intervenimin e shpejtë të policisë në veri, duke parandaluar kështu një incident me përmasa më të mëdha dhe përkeqësim të situatës edhe ashtu të ndjeshme në qytetin e Mitrovicës, raporton Kosovapress.

Zëvendës drejtori i Drejtorisë në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka sqaruar ngjarjen e djeshme, ndërsa ka apeluar tek prindërit që të ndikojnë në fëmijët e tyre për të parandaluar ekcese të tilla.

“Policia e Kosovës dje rreth mesditës ka regjistruar një incident të prishjes së rendit dhe qetësisë publike dhe të përfshirjes në rrahje të dy grupeve. Ndjesia e saj qëndron në faktin se të dy grupet të përkatësisë shqiptare dhe serbe janë adoleshentë, përkatësisht persona të mitur nga mosha 14-16 vjeçare, dhe kjo ka obliguar njësitë policore të cilat në preventivë kanë reaguar me qëllim të parandalimit të një ekcesi më të madh, por gjithsesi edhe me ndihmën e qytetarëve të ndërgjegjshëm të cilët kanë dalë në ndihmë policisë më qëllim që t’i ndajnë të dy grupet në një përfshirje më agresive të rrahjes”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona shqiptarë dhe serbë, të gjithë të moshës së mitur, dhe ndaj tyre janë iniciuar procedurat.

Ai shtoi se përveç tjerash, janë ftuar edhe prindërit e të gjithë personave të përfshirë në rrahje dhe deklaratat janë siguruar në prezencën e zyrtarëve për punë sociale.

Zëvendës drejtori i policisë ka sqaruar edhe arsyet e mundshme që kanë çuar deri tek rrahja.

“E tërë kjo besohet se është pasojë e një komunikimi përmes rrjeteve sociale të të dy grupeve shqiptarë dhe serbë, të cilët kryesisht bëjnë marrëveshjet e tyre për një pikëtakim me qëllim që të dyja palët të përfshihen në rrahje”, theksoi Hoti.

Ai ka apeluar tek të gjithë, në radhë të parë tek prindërit, që të përcjellin porositë tek fëmijët e tyre, dhe të kenë vëmendje e kujdes më të madh për të ndikuar tek ta, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona të mitur, të cilët kanë ambicie për t’u përfshirë në rrahje dhe për të shkaktuar incidente të tilla.

Hoti ka përsëritur se fal intervenimit të policisë dhe qytetarëve të ndërgjegjshëm, incidenti i ditës së djeshme është parandaluar që të marr përmasa më të mëdha.